Bateristi i grupit “Dead Kennedys”, Darren Henley ,i njohur me pseudonimin D.H. Peligro, ka vdekur në moshën 63 vjeçare.
Lajmi u konfirmua nga grupi që ka lëshuar një deklaratë për shtyp për të njoftuar se muzikanti kishte vdekur pas një dëmtimi në kokë të marrë nga një rënie aksidentale.
“Ai vdiq nga lëndimet në kokë pas një rënie aksidentale. Detajet e plota do të publikohen në ditët në vijim”, thuhet mes tjerash në kumtesë, ku tregohet se bateristi kishte vdekur më 28 tetor në shtëpinë tij në Los Angeles.
TMZ duke u thirrur në burimet e veta pohon se bateristi e ka humbur jetën pasi e ka përplasur kokën në banjë dhe është shpallur i vdekur në vendin e ngjarjes.
Peligro ishte në “Dead Kennedys” në disa raste. Ai iu bashkua grupit në vitin 1981, duke debutuar në EP “In God We Trust”. Më pas qëndroi me grupin gjatë incizimit të tre albumeve të radhës, “Plastic Surgery Disasters”, “Frankenchrist” dhe “Bedtime for Democracy”.
Pas shpërbërjes së grupit në vitin 1986, Peligro iu bashkua për pak kohë “Red Hot Chili Peppers”, duke zëvendësuar të larguarin Jack Irons. Ai ndihmoi në realizimin e “Mother’s Milk”, por u pushua nga puna në vitin 1988 përpara se grupi ta incizonte albumin. Nailbomb, Lock-Up e SSI janë bendet tjera me të cilët ka punuar.
Peligro përfundimisht u kthye te “Dead Kennedys” pas ribashkimit të tyre në vitin 2001. Ai bëri një pushim të shkurtër në vitin 2008, përpara se të rifillonte me grupin një vit më vonë. /Telegrafi/