Telegrafi

Ndërron jetë Aron Eisenberg, aktori që kishte lindur me një veshkë dhe gjatë gjithë jetës pati probleme shëndetësore

Aron Eisenberg (Foto: Getty Images)

Aktori Aron Eisenberg ka ndërruar jetë në moshën 50 vjeçare – bën të ditur Daily Mail.

Lajmin e ka konfirmuar bashkëshortja e tij, aktorja e “Renegades”, Malissa Longo, përmes një postimi në rrjetet sociale.

Eisenberg ka qenë më së shumti i njohur për rolin e një Ferengi të quajtur Nog në të shtatë sezonet e “Star Trek: Deep Space Nine”. Ai po ashtu ka marrë pjesë edhe në një episod të “Star Trek Voyager”.

Aron Eisenberg (Foto: Ethan Miller/Getty Images/Guliver)

Aktori është shfaqur edhe në skenë, në produksionet e tilla, si “The Indian Wants The Bronx”, “On Borrowed Time” e “Minor Demons”.

Aron ka pasur probleme shëndetësore gjatë gjithë jetës, duke qenë se kishte lindur me një veshkë që i kishte dështuar dhe që nga mosha 14 vjeçare ishte në dializë.

Malissa Longo dhe Aron Eisenberg (Foto: Getty Images)

Siç transmeton TMZ, ai e bëri transplantimin e parë të veshkës kur ishte 17 vjeçar dhe një tjetër në moshën 46 vjeçare.

Problemet me veshkën ia kishin pamundësuar të arrinte gjatësinë mesatare, ashtu që u rrit vetëm 152 centimetra.

Akoma nuk është bërë i ditur shkaku i saktë i vdekjes, ndërsa në postimin e saj në Facebook, gruaja e Eisenberg ka treguar se ata ishin martuar në fshehtësi. /Telegrafi/