Site icon Telegrafi

Ndërron jetë aktori tjetër i “Beverly Hills, 90210”, Jed Allan

Ian Ziering, Jed Allan (Twitter/Deadline Hollywood/Instagram)

Aktori i telenovelave dhe serialeve televizive, Jed Allan, ka ndërruar jetën të shtunë në Palm Desert të Kalifornisë, në moshë 84 vjeçare.

Ai ka qenë më së shumti i njohur për rolin e babait të Steve Sanders (që u portretizua nga Ian Ziering) në hit serialin e viteve të nëntëdhjeta, “Beverly Hills, 90210”.

Allan ka luajtur po ashtu edhe në telenovelën e popullarizuar të viteve të tetëdhjetë dhe nëntëdhjeta, “Santa Barbara”, në rolin e C.C. Capwell.

Dhe është pikërisht Ziering, aktori që i udhëheq nderimet për ish-kolegun tashmë të ndjerë.

“Jam aq i pikëlluar që e humbëm një tjetër bashkaktor nga ‘90210’. E kam pasur kënaqësinë të punoj me Jed Allan nga viti 1994 deri në vitin 1999”.

“Ai e ka luajtur rolin e Rush Sanders, babanë e Steve. Një njeri shumë i këndshëm për të punuar me të. Do të na mungojë”, ka shkruar Ziering.

Lajmi për vdekjen e tij vjen më pak se një javë prej se ndërroi jetë një tjetër yll i serialit “Beverly Hills, 90210”, Luke Perry, i cili vdiq në moshë 52 vjeçare.

“Me pikëllim po e publikoj lajmin se babai im ka ndërruar jetë sonte. Ai vdiq në qetësi dhe i rrethuar nga familjarët dhe e kemi dashur shumë ne dhe shumë të tjerë”, ka shkruar djali i Allan, Rick Brown. /Telegrafi/

Exit mobile version