Telegrafi

Ndërron jetë aktori i njohur i humorit në Shqipëri, Zef Deda

Zef Deda (Foto: Zef Deda/Facebook)

Është ndarë nga jeta me një prej figurave më të dashura dhe të nderuara të humorit shqiptar, aktori Zef Deda.

Lajmi i trishtë është konfirmuar nga vet djali i tij, i cili ka bërë të ditur lajmin se babai i tij ndërroi jetë pasi prej kohësh përballej me një sëmundje të rëndë.

Zef Deda, i cili lindi në qytetin e Shkodrës më 27 korrik 1950, e nisi karrierën e tij në moshë të re pranë teatrit “Migjeni”.

Zef Deda (Foto: Top Channel)

Me një karrierë të jashtëzakonshme që zgjati më shumë se 40 vjet, Deda bëri emër me performancat e tij të jashtëzakonshme në skenë dhe kontribuoi ndjeshëm në zhvillimin e humorit shqiptar.

Ai u largua nga Shqipëria për një periudhë gjashtëvjeçare për shkak të emigrimit, por kthimi i tij në atdhe në vitin 1996 i gjeti fansat e komedisë duke e pritur me padurim.

Zef Deda ishte i martuar me Rozina Dedën, dhe bashkë kanë dy djem, Marion dhe Julianin, i cili është gjithashtu aktor i njohur i humorit në Shqipëri.

Julian dhe Zef Deda (Foto: Top Channel)

Humbja e Zef Dedës shënon një kapitull të mbyllur në historinë e arteve performative në Shqipëri.

Ndërsa komuniteti artistik dhe dashamirët e teatrit shprehin ngushëllimet e tyre, vepra dhe kujtimi i Zef Dedës do të mbeten të pavdekshme në zemrat dhe mendjet e shumë shqiptarëve që u rritën dhe u frymëzuan nga shpirti dhe fryma e tij e paharrueshme. /Telegrafi/