Ish-senatori amerikan nga radhët e republikanëve, Richard Lugar, ka ndërruar sot jetë në moshën 87-vjeçare.
Organizata e tij jofitimprurëse Qendra Lugar, tha se ai vdiq nga komplikimet nga polineuropatia kronike inflamatore, një sëmundje që sulmon nervat.
Lugar shërbeu në Senat nga 1977-2013 dhe ishte i njohur mirë si një zë autoritar për politikën e jashtme të SHBA-së.
Duke shërbyer si kryetar i Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë dy herë – nga 1985-1987 dhe 2003-2007 – ai ishte një kundërshtar i hapur i aparteidit në Afrikën e Jugut dhe armëve bërthamore.
Ai krijoi legjislacionin për shkatërrimin e armëve bërthamore pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, i njohur si Programi i Reduktimit të Kërcënimeve të Bashkëpunimit ose Akti Nunn-Lugar.
Lugar bashkë me John McCainin, ishte në pakicën republikane që përkrahu ish-presidentin Bill Clinton në intervenimin e NATO-s kundër Serbisë.
Lugar nisi një përpjekje për të siguruar emërimin e presidentit republikan për zgjedhjet e vitit 1996, por njoftimi i tij për të kandiduar erdhi në të njëjtën ditë kur ndodhën sulmet me bomba në Oklahoma – një nga sulmet më vdekjeprurëse terroriste në historinë e SHBA-së.
Ai hoqi dorë në mars të vitit 1996 dhe mbështeti kandidatin e atëhershëm republikan Bob Dole.
Lugar ishte një politikan shumë i respektuar dhe u nderua me Medaljen Presidenciale të Lirisë në vitin 2013. /Telegrafi/