Ndërrimi i shtyllave dhe përçuesve për rreth 500 konsumatorë në Rogovë të Hasit, ka bërë që ata të kenë shërbime shumë më kualitative. Konsumatorët janë shumë të kënaqur me investimin e bërë duke falëndëruar pafundësisht KEDS-in. Atyre u është kthyer buzëqeshja Destan Berisha nga Rogova e Hasit tashmë pushon i çliruar. Ai nuk e ka më brengën se a do të ketë tension të mjaftueshëm për të parë televizor, apo kur t’i vijnë mysafirët të ndezë shporetin për t’ua përgatitur drekën e të mos i dërgojë në restorant. Kjo, pasi KEDS ka investuar në trafostacionin ku ai është i kyçur duke ndërruar telat, duke vendosur shtyllat e betonit dhe duke i vendosur njehsorët elektrikë në to. Madje, Destani i cili që nga viti 1984 jeton në Zvicër, sa të jetë atje nuk e ka as brengën se dikush mund t’i hyjë në shtëpi, pasi ora e nxjerrë në shtyllë bën që leximi të bëhet pa hyrë fare në ambientet e pronës së tij. “Tash do të shkoj, por do të kthehem pas një muaji. Vizitat e mia në Kosovë do të jenë shumë më të shpeshta. Mezi po pres”, thotë Destani, mjaft i disponuar. Ai nuk mund të besojë se gjendja ka ndryshuar në mënyrë kaq radikale. “Nuk na ndizej asnjë pajisje që nga paslufta. Kur vinte momenti që të vija në Kosovë natyrisht isha i lumtur, por gëzimin ma zbehte tensioni i energjisë elektrike. Asnjë pajisje nuk punonte. Shtëpinë e kisha të mbushur me korrektorë. Tash, më duhet t’ua gjej çaren t’i dërgoj diku se nuk më duhen më”, thotë Destani. Në kuadër të përforcimit dhe zgjerimit KEDS në Rogovë ka përmirësuar rrjetin për rreth 500 konsumatorë, duke intervenuar në pesë trafostacione. “Qëllimi i projektit ka qenë eliminimi i rrjetit të dobët e të vjetruar duke e zëvendësuar atë me shtylla të betonit dhe përçues të izoluar për të shmangur çdo rrezik ndaj banorëve të këtyre traforegjioneve, dhe gjithsesi ofrimi i energjisë kualitative për konsumatorët, që nënkupton tension dhe frekuencë stabile dhe brenda parametrave të përcaktuar”, thotë Dritan Ferati, koordinator për Rrjet në Distriktin e Gjakovës. Implementimi i projektit nuk ka qenë aq i lehtë për shkak të zonave të ndërtuara pa ndonjë plan urbanistik, por janë tejkaluar. “Bashkëpunimi i banorëve të kësaj pjese ka qenë në nivel shumë të lartë. I falënderoj për këtë”, thotë Ferati. Rrjeti është përmirësuar falë vendosjes së kapaciteteve më të mëdha“Kabllot janë ndërruar nga përçuesi 25 mm2 sa ishte më herët në 70 mm2. Me këtë projekt janë ndërruar 32 km kabllo të seksioneve të ndryshme dhe 379 shtylla si dhe pajisje tjera përcjellëse”, thotë Adem Hajdini, projektmenaxher. Sipas tij 5 projektet në implementim do të përfundojnë së shpejti. “Puna ka nisur më 28 prill të këtij viti dhe punimet janë në fazën finale. Është e qartë se me këtë investim është kryer punë shumë e mirë dhe reagimi i banorëve të fshatit Rogovë është shumë pozitiv”, thotë Hajdini. Punimet e përfunduara në afat rekord, pos që kanë përmirësuar dukshëm kualitetin e shërbimeve, kanë ndërruar edhe pamjen e fshatit për të mirë. Ky investim pritet të ketë ndikim të madh edhe në zvogëlimin e humbjeve teknike dhe komerciale, njësoj si në vendet tjera ku janë bërë investime të natyrës së ngjashme. Ndërrimi i shtyllave dhe përçuesve nëpër TS sikurse zhvendosja e njehsorëve në ormanë poliester në shtylla elektrike kishte nisur si pilotprojekt vitin e kaluar në Nëndistriktin e Drenasit. Në fshatin Orllat të Drenasit humbjet komerciale kishin rënë nga 70 në 5 për qind. Paralelisht pilotprojekti ishte zhvilluar edhe në fshatin Zabel i Ulët të të njëjtit nëndistrikt dhe rezultatet ishin shumë të mira. Më pas projekti është shtrirë në të gjitha distriktet dhe ka treguar rezultate të mira, duke ulur humbjet dhe rritur kualitetin e shërbimeve për konsumatorët. /Telegrafi/