Luajti për tri shtete të ndryshme, por shkëlqimi erdhi vetëm në vendlindje
Ishte pjesë e Norvegjisë U17, i la ata për ta Përfaqësuar Kombëtaren e Shqipërisë U21.
Por pasi i mbaroi aventura me Kombëtaren U21 të Shqipërisë, Herolind Shala kishe tri oferta në tavolinë.
Kombëtarja A e Norvegjisë e kërkoi, Përfaqësuesja e Kosovës dhe Kombëtarja e Shqipërisë.
Mesfushori nga Drenasi fillimisht i kishte thënë ‘Po’, Kosovës, por pas konsultimeve të tij me trajnerin Albert Bunjaku ai iu bashkua Kombëtares së Shqipërisë.
Edhe pse nuk kishte shumë ndeshje me kuqezinjtë, Shala u grumbullua gjithmonë nga Gianni De Biasi deri në Euro 2016 kur u la jashtë listës së 23 lojtarëve.
Por pse djaloshi nga Drenasi vendosi të largohet nga Shqipëria për Kosovën, tregon ekskluzivisht për Telegrafin.
“Momentin kur vendosa t’i bashkohem Shqipërisë bisedova me Albert Bunjakun dhe ai më sugjeroi të luaj për kuqezinjtë deri në pranimin e Kosovës”.
“Sa herë jam grumbulluar nga Kombëtarja kam dhënë maksimumin, si në stërvitje ashtu edhe në ndeshjet kur kisha rastin të luaj. Por pas pranimit të Kosovës në FIFA dhe UEFA nuk kam dashur asgjë tjetër vetëm të luaj për vendlindjen time”, shprehet Shala për Telegrafin.
Në ndeshjen e parë ndaj Finlandës nuk luajti fare dhe kjo gjë e mërziti pak Shalën i cili pastaj shkëlqeu me Kosovën.
“Është normale të zhgënjehesh nëse nuk paraqitësh në një ndeshje. Doja t’i ndihmoja Kosovës por trajneri kishte vendosur për tjerë lojtarë dhe kam pritur rastin tim”.
24-vjeçari u inkuadrua në lojë ndaj Kroacisë në 20 minutat e fundit, ndërsa ndaj Ukrainës dhe Turqisë ishte më i miri në fushë.
“Unë jam profesionist dhe gjithmonë pres rastin për të folur në fushë. Edhe pse kemi humbur nga Kroacia, Ukraina e Turqia kam marrë shumë mesazhe duke më përgëzuar për ndeshjen e bërë mua dhe gjithë shokët e ekipit”, tregon Shala.
Por pas ndeshjes me Turqinë ai fitoi një adhurues të madh e ai ishte trajneri i turqve, Fatih Terim që shkoi dhe e përgëzoi tek zhveshtoret.
“Isha bërë gati të futëm në tush pas ndeshjes kur Terim më thirri dhe deshi të bisedonte. U çudita dhe u befasova, pasi mora shumë lëvdata nga Terim. Ai më përgëzoi për ndeshjen që bëra në Antalya ndaj Kombëtares së tij dhe më tha se më kishte ndjekur edhe në Kasimpasa. Ishte ndjenjë e mirë të marrësh komplimente nga një trajner i madh siç është Terim”, tregon Shala.
Mesfushori i Kasimpasas, ditë më parë mori pjesë në një ndeshje bamirëse kundër terrorizmit në Turqi ku luajti në një skuadër me yje të mëdhenj të futbollit botëror si Samuel Eto`o, Wesley Sneijder e Nigel De Jong.
“Jam njeri që mundohem të bëj sa më shumë gjëra të mira në jetë dhe kur erdhi ftesa për këtë ndeshje bamirësie dhe anti terrorizëm natyrisht që e pranova me qejf”.
“Ishte kënaqësi të jesh në një skuadër me yje të mëdha të futbollit si Samuel Eto`o, Wesley Sneijder apo Nigel De Jong. Deri tani i kam pasur bashkëlojtarë mirëpo me ta në një skuadër futbolli është më i thjeshtë”, thotë Shala.
Në 11 ndeshje këtë edicion me Kasimpasën, Shala ka shënuar tre gola por ende nuk e di të ardhmen e tij pasi është i huazuar nga Sparta e Pragës.
“Aktualisht jam pjesë e Kasimpasës mirëpo të ardhmes nuk i dihet. Në futboll gjithçka ndryshon brenda natës, nëse vije një ofertë e mirë atëherë të nesërmen mund të jesh në një vend tjetër. Momentalisht jam i fokusuar këtu dhe të shohim për të ardhmen se çfarë do të ndodh”, tha Shala.
Në pyetjen se si kalonte sa ishte pjesë e Norvegjisë, Shala foli vetëm fjalë të mira për vendin që i dha mundësinë e zhvillimit, por tregoi se mendja e tij gjithmonë ka qenë te Kosova dhe Shqipëria.
“Kam luajtur për grupmoshat e Norvegjisë por gjithmonë kisha në mendje Shqipërinë dhe prisja me padurim anëtarësimin e Kosovës në UEFA”.
“Në një ndeshje me Norvegjinë ka ndodhur kur kam pasur nën fanellë mbathur një tjetër me shqiponjë. Gjithsesi do t’i jem gjithmonë mirënjohës Norvegjisë për gjithçka që ka bërë për mua”, deklaroi Shala.
24-vjeçari deri më tani ka luajtur për skuadrën norvegjeze, ODD Ballklub, dy skuadrat ceke, Sparta Pragë dhe Slovan Liberec, ndërsa nga muaji korrik i vitit 2016 është pjesë e Kasimpasas në Turqi. /Telegrafi/