Site icon Telegrafi

Ndërpritet seria golashënuese e Ronaldos në Ligën e Kampionëve

(Foto: Getty Images)

Real Madridi ka regjistruar një fitore të rëndësishme në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve duke e mposhtur Bayern Munichun me rezultat 2-1 në Allianz Arena.

Me gjithë suksesin ekipor, lojtari kryesor i Los Blancos, Cristiano Ronaldo, nuk arriti të shënonte gol në këtë takim duke ndërprerë kështu serinë golashënuese në ndeshje radhazi.

Para kësaj sfide, superylli portugez kishte shënuar gola në 11 ndeshje radhazi të Ligës së Kampionëve (duke filluar nga finalja e vitit të kaluar ndaj Juventusit).

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet për Cristiano Ronaldon

Përkundër ndërprerjes së serisë, CR7 vazhdon të mbetet lojtari i vetëm në histori të garës më të madhe evropiane për klube që ka shënuar gola në 11 përballje të njëpasnjëshme.

Në ndërkohë, ai ka mbetur në 15 gola të shënuar këtë sezon në Ligën e Kampionëve, por është larg golashënuesi më i mirë, pasi konkurrentët më të afërt janë Roberto Firmino dhe Mohamed Salah me nga dhjetë gola.

https://twitter.com/valmarfootball/status/989238161397223424

Ronaldo dhe bashkëlojtarët e tij të Real Madridit janë në kërkim të trofeut të tretë radhazi në Ligën e Kampionëve, ndërsa pas fitores ndaj Bayernit kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt finales së Kievit.

Gjysmëfinalja tjetër zhvillohet ndërmjet Liverpoolit dhe Romës. Redsat kanë avantazh prej 5-2 nga përballja e parë që u zhvillua në Anfield. Takimet kthyese zhvillohen në javën e ardhshme (1 dhe 2 maj). /Telegrafi/

Exit mobile version