Telegrafi

Ndërpritet seanca e Kuvendit të Kosovës

Në mungese të kuorumit, Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë seancën e sotme.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci deklaroi se të pranishëm në sallë janë vetëm 48 deputetë, transmeton Telegrafi.

“48 deputetë janë në sallë, nuk ka kuorum për të vazhduar punimet, deputetë do të njoftohen në kohë për vazhdimin e seancës”, tha ajo.

Në Kuvend sot ka dështuar të miratohet edhe rezoluta për të pagjeturit.

Në mungesë të kuorumit nuk u miratuan në parim Projektligji për të drejtën ndërkombëtare private, ai për Këshillim Ekonomiko-Social, Inspektoratin e Punës.

Krahas këtyre nuk pati vota as për Projektligjin për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike dhe Projektligjin për plotësim-ndryshimet e Ligjit për zgjedhje.

Deputetët në mbledhjen e sotme i vazhduan edhe për tre muaj mandatin Komisionit Hetimor për Hidrocentrale mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Kosovë. /Telegrafi/