Site icon Telegrafi

Ndërpritet protesta e transportuesve në Gjilan, fillon puna në të gjitha vijat

Komuna e Gjilanit njofton se transportuesit publik të udhëtarëve kanë ndërprerë protestën dhe kanë filluar punën, duke ofruar shërbime për qytetarët e Gjilanit me rrethinë në të gjitha vijat që ishin pezulluar më parë.

Drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik në Gjilan, Valbona Tahiri, ka bërë të ditur se në takimin e përbashkët me shoqatën e transportuesve “Anamorava” dhe menaxhmentin e NPL “Stacioni i Autobusëve”, është arritur mirëkuptim për vazhdimin e marrëveshjes bazë të nënshkruar me shoqatën e transportuesve “Anamorava” për lirimin prej 50 % për peron deri me 15 shtator 2020 dhe largimi i taksistëve ilegal.

Në njoftim thuhet se Komuna e Gjilanit, respektivisht Drejtoria e Inspekcionit dhe inspektorët komunalë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës do të intensifikojnë aktivitetet për mbikëqyrjen në kuadër të kompetencave ligjore dhe përgjegjësive që kanë të vazhdojnë me aktivitete të rregullta në teren, për të parandaluar operimin e taksive ilegalë.

“Me qëllim të mbështetjes së sektorit privat, për tejkalimin e krizës së shkaktuar nga coronavirusi,kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, brenda kapaciteteve dhe kompetencave, ka marrë masa lehtësuese për bizneset dhe është duke bërë përpjekje të vazhdueshme për tejkalimin e krizës,  duke ka ndikuar edhe në sektorin publik, pasi janë kufizuar mundësitë për realizimin e investimeve kapitale publike”, thuhet më tej. /Telegrafi/

 

Exit mobile version