Sot nga ora 08:00 e mëngjesit pothuajse për një orë është ndërprerë qarkullimi i trenave për udhëtarë në hekurudhat e Kosovës, Trainkos, nga punëtorët e saj në shenjë pakënaqësie për vonesën e pagave për muajin prill
Haxhi Xhemajli, nënkryetar i sindikatës së punëtorëve të hekurudhave të Kosovës, Trainkos ka thënë se për një orë kanë protestuar në shenjë pakënaqësie për vonesën e pagave të muajit prill në këtë ndërmarrje.
Ai ka paralajmëruar protesta edhe për ditën e martë, nëse pagat nuk i marrin deri të hënën, përcjell KosovaPress.
Ndërsa, Naim Neziri, zëvendës kryeshef i Trainkos protestuesve u ka premtuar se shumë shpejt do të realizohet paga e muajit prill, ngase sipas tij, është arritur një marrëveshje me Ministrinë e Infrastrukturës për pagesën e shpenzimeve të kësaj ndërmarrjeje.
Megjithatë, ai nuk ka treguar asnjë dokument të kësaj marrëveshje apo shumën e premtuar nga Ministria, por shtoi se për këta 250 punëtorë, për pagën e prillit ju duhen 135-140 mijë euro.
Me përfundim të protestës, trenat kanë filluar të qarkullojnë. /Telegrafi/