Nuk është hera e parë që një sigurim ka lënduar një lojtar shkaku i ndërhyrjes së tyre për të larguar tifozët që futen në fushë.
Pas Goncalo Ramosit të Portugalisë, tani edhe Alvaro Morata i Spanjës e ka pësuar njëjtë.
Spanja e eliminoi Francën me rezultat 2-1, për të kaluar në finale të Euro 2024.
Derisa lojtarët e Furisë së Kuqe po festonin me përkrahësit e tyre, disa prej tifozëve ishin futur në fushë.
Sigurimi filloi të merrte masa menjëherë, por që në veprim e sipër, njëri prej tyre bëri një rrëshqitje, që përfundoi drejt e në këmbën e Moratas.
Sulmuesi spanjoll natyrisht se ndjeu dhimbje nga ajo goditje, ndërsa shihet duke çaluar.
Natyrisht se te Spanja do të shpresojnë që të mos jetë asgjë serioze, pasi që është sulmuesi i tyre kryesor.
Në finale, Spanja do të përballet me fituesin e duelit mes Anglisë dhe Holandës që zhvillohet të mërkurën (10 korrik). /Telegrafi/