Ndërprerja e punimeve për ndërtimin e ujësjellësit në fshatin Pallçisht të Tetovës ka revoltuar banorët e këtij fshati, të cilët, u ngritën në protesta para komunës së Bogovinës. Nga kreu i Komunës kërkuan sqarim përse janë ndërprerë punimet dhe do a do të mbetet fshati edhe një vit pa ujë për pije.
“Kur patëm protesta deklaratat i keni edhe ju në media ku na thonë se në shtator përfundon, ne pritëm edhe një vit pas. Tash përmendin kushtet klimatike. Nëse këto kushte klimatike nuk janë për të punuar se di atëherë. Për çfarë arsye nuk punon firma atje, apo presin të vjen dimri dhe të thonë sërish nuk ka kushte të vazhdohet puna”, tha Vullnet Akiki, kryetar i Bashkësisë Lokale.
Nga ana tjetër, kreu i komunës së Bogovinës Besnik Emshiu u arsyetua se komuna nuk ka asnjë kompetencë mbi këtë projekt.
“Ministria e Transportit realizon projektin. Ne bëjmë vetëm dokumentacionin ata realizojnë. Financon Banka Botërore dhe mbikëqyrësi është nga Banka Botërore, pra, ata kanë caktuar mbikëqyrësin, kanë hapur tenderin dhe bëjnë mbikëqyrjen nga komuna nuk kemi ingerenca të tjera”, tha Besnik Emshiu, kryetar i komunës së Bogovinës.
Ndryshe, qindra shtëpi të fshatit Pallçisht të komunës së Bogovinës, për dekada të tëra janë pa ujë për pije. Uji që kohë pas kohe rrjedh nëpër çezmat e tyre nuk është i pijshëm. Banorët thonë se ujin e pijes e blejnë, ndërsa ata që nuk kanë mundësi ta blejnë, e mbushin nëpër çezmat e fshatrave për rreth./Alsat.mk