Telegrafi

Ndërpritet greva, stafi mjekësor rrit pagat

Nëpërmes një deklarate të përbashkët të nënshkruar nga ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi; kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Asllan Bajrami dhe përfaqësues i Këshillit grevist, është arritur konsensusi për rritjen e pagave për 34 % për të gjithë punëtorët teknikë në shëndetësi, pagat e infermierëve për 28 %, ndërsa pagat e mjekëve për 19 %.

Rritja e pagave do të hyjë në fuqi që nga 1 janari i vitit 2009.

Pjesë e marrëveshjes është edhe paragrafi i cili parasheh që nga 1 tetori i këtij viti të ketë kompensim në lartësi prej 44 euro, për të gjithë punëtorët shëndetësorë (13.247), për vitet në vijim.

Sipas marrëveshjes, punëtorët shëndetësorë, nëpërmjet Ligjit për shërbimin civil do të nxirren nga kategoria e shërbyesve civilë, atyre do t’ju njihet stazhi i punës gjatë viteve të nëntëdhjeta dhe do të kenë kompensim për vendet e punës me rrezikshmëri.

Një komision i përbashkët i sindikatës, ministrisë, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore do të hartojë sistemin e gradimit në shëndetësi./Telegraf/