Site icon Telegrafi

Ndërpritet ecuria fantastike e Milanit pa humbje, Lille e demolon në San Siro

Lille ka qenë skuadra që i ka ndërprerë ecurinë fantastike prej 24 ndeshjeve pa humbje Milanit në gara zyrtare.

Skuadra franceze e ka demoluar Milanin në San Siro pasi e ka mposhtur me rezultat të thellë 0-3, në një ndeshje ku shkëlqeu turku Yazici me het-trik.

Mysafirët fituan penallti në minutën e 22-të, kur Alessio Romagnoli e pengoi në zonë turkun Yazici.

23-vjeçari mori përsipër ekzekutimin e penalltisë dhe shënoi gol për t’i dhënë epërsinë ekipit të tij 0-1.

Përkundër insistimit të Rossonerëve për ta barazuar rezultatin, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Kësisoj 45 minutat e para të kësaj sfide përfunduan me epërsinë e mysafirëve 0-1.

Edhe pjesa e dytë nisi për mrekulli për mysafirët, ku në minutën e 55-të, Yazici shënoi një gol të bukur nga distanca për 0-2.

Vetëm tre minuta më vonë, mysafirët bënë një aksion fantastik ku David asistoi bukur për Yazicin i cili shënoi dhe kompletoi het-trikun e tij për 0-3.

Milani tentoi të rikthehet në lojë në vazhdim të ndeshjes, por një gjë e tillë ishte e pamundur.

Skuadra franceze u rikthye në mbrojtje dhe menaxhoi mirë ndeshjen duke marrë një fitore të madhe në San Siro 0-3.

Pas kësaj fitore, Lille mbanë pozitën e parë në tabelë me shtatë pikë, ndërsa Milan mbetet e dyta me një pikë më pak.

Ndeshja e radhës përsëri do të jetë mes dy skuadrave, por do të spostohet në Francë. /Telegrafi/

 

https://twitter.com/goalkajuv3/status/1324447777477300224

https://twitter.com/MilanoMerkez/status/1324460538437521410

Exit mobile version