Në mesnatë ka hyrë në fuqi ndërprerja e përkohshme e të gjitha fluturimeve në ANP “Adem Jashari”, sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndërmarrjen e masave me qëllim të parandalimit të përhapjes së Coronavirusit në vendin tonë.
Lidhur me këtë, Autoriteti i Aviacionit Civil thotë se, pezullimi i përkohshëm vlen për të gjitha fluturimet me udhëtarë në bord, që arrijnë në ANP “Adem Jashari” përveç fluturimeve në shkuarje, pra nga Prishtina në drejtim të destinacioneve të ndryshme.
“Inspektorët e AAC-së, sot, e kanë monitoruar për së afërmi zbatimin e këtij vendimi. Lusim të gjithë udhëtarët që të kenë mirëkuptim për këto masa dhe të zbatojnë me përpikëri masat mbrojtëse të rekomanduara nga autoritetet përkatëse. Shpresojmë në përmirësimin e shpejtë të situatës dhe rikthimin e normalitetit në transportin ajror.
Nuk ka vend për panik, vetëm për kujdes të shtuar”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/