Telegrafi

Ndërpritet shitja e biletave për drejtimet Shkup-Barcelonë dhe Ohër-Londër

Kompania hungareze “Wizz Air” ka shfuqizuar shitjen e biletave për dy drejtime: Shkup-Barcelonë dhe Ohër-Londër, njofton “ExYuAviation”.

Ky vendim ka ardhur një javë pasi Qeveria e Maqedonisë anuloi tenderin për ndarje të ndihmës financiare për drejtime të reja nga aeroportet e Maqedonisë.

Kompania ajrore ka ndaluar shitjen e biletave për linjën Shkup-Barcelonë nga 26 tetori, ndërsa për Ohër-Londër nga 24 tetori, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Lexo po ashtu Ndërpritet procedura për ndihmë financiare për aviokompanitë në Maqedoni

“Wizz Air” ka ndërprerë fluturimet edhe mes Shkupit dhe Vaksjo në Suedinë jugore nga mesi i shtatorit, për shkak të kërkesave të vogla. Fluturimi i fundit në këtë drejtim do të jetë më 16 shtator dhe më pas do të ndërpritet shitja e biletave.

Marrëveshja trivjeçare me “Wizz Air” me shtetin për subvencionimin e destinacioneve të reja, kaloi në qershor. Si rezultat i kësaj, kompania nuk është më përgjegjëse për fluturimet në destinacionet që ka realizuar gjatë marrëveshjes./Telegrafi/