Site icon Telegrafi

Nderohet “Komandant” Kadare: Shqiptari vlerësohet nga François Hollande (Video)

Ismail Kadaresë i është dorëzuar dekorimi më i lartë që Franca mund t’i japë: titulli “Komandant i Legjionit të Nderit”. Titulli i është dorëzuar nga presidenti francez, Francois Hollande pasditen e së hënës në pallatin presidencial “Elize”.

Ceremonia është mbajtur me një rreth shumë të ngushtë të ftuarish dhe pjesëmarrës në të ka qenë edhe Kryeministri Edi Rama.

Vlerësimi i artit të Kadaresë në atdheun e tij të dytë, ku zhvillon karrierën letrare që prej vitit 1990, është njëkohësisht vlerësim për kulturën dhe gjuhën shqipe.

Titulli është shpallur që me fillimin e këtij viti, duke përkuar me muajin e 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit.

Sa i përket fushës së letrave, të njëjtin titull me të ka marë edhe shkrimtari francez Michel Tornier.

Urdhri është krijuar nga Napoleon Bonaparti në vitin 1802 dhe është i ndarë në pesë shkallë të ndryshme: Kalorës, Oficer, Komandant, Oficer i Madh dhe Kryq i Madh. Medalja në rastet e civilëve jepet kur puna e tyre rrit reputacionin e Francës përmes studimeve, arteve, shkencës, politikës, gazetarisë etj.

I konsideruar si një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë, Ismail Kadare është i përkthyer në 50 gjuhë të botës, ndërsa është nominuar disa herë me çmimin “Nobel” për letërsi. /Top Channel/

Exit mobile version