Në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës sot u mbajt mbledhje komemorative si dhe u mbajtën homazhe në nderim të figurës akademike, Edi Shukriu.
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Mehmet Kraja tha se me ikjen e Edi Shukriut edhe vendi do të jetë më i varfër.
“Nga sot do të jemi më të varfër, jo vetëm për një arkeologe të shkëlqyer, historiane, profesoreshë, shkrimtare, poete e dramaturge por do të jemi më të varfër edhe për një miqësi të sinqertë, për një personalitet të veçantë që kishte mprehtësinë e observimit intelektual e cila ishte mënyra e saj e të menduarit dhe gjykuarit. Edi do ju mungojë të gjithëve, edhe atyre që e donin më shumë dhe atyre që e donin më pak”, tha Kraja.
Sekretarja e Seksionit të Shkencave Shoqërore, Gjyljeta Mushkolaj, në emër të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, derisa kujtoi figurën e saj, ajo e vlerësoi si një person me vlera të mëdha që kishte për vendin.
Valtida Shukriu, mbesa e Edi Shukriut kujtoi disa nga fjalët dhe poezitë e arkeologes, Shukriu, derisa tha se asnjëherë nuk është ndalur duke qenë këmbëngulëse për emancipim e barazi mes popujve e gjinive.
“Si për të gjithë shoqërinë, dhe për ne Edi Shukriu ishte një intelektuale e veprimtare. Këtu për çështjen e popullit tonë, aty për çështjen e gruas. Ne veç patëm rastin të përjetonim për së afërmi zjarrin e saj, përpjekjet e saj këmbëngulëse e kokëforte për emancipim e barazi mes popujve e gjinive, përtej popujve e përtej gjinive. Sot nuk ka diçka më adekuate sesa fjala e saj për te kujtuar detyrën që ka shoqëria dhe mbi të gjitha intelektualja karshi çështjeve publike, etike e politike, brenda dhe jashtë Universitetit”, tha Shukriu.
Varrimi i të ndjerës do të bëhet sot në orën 15:00, në varrezat katolike të qytetit të Prizrenit.