Në Tiranë, u përurua studimi kushtuar humanist britanik Aubrey Herbert. Ai është i njohur në Shqipëri për ndihmesën e tij në forcimin e shtetit të ri shqiptar nga fillimi i shekullit të kaluar.
Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, publikoi sot studimin “Aubrey Herbert dhe Shqipëria e Pavarur”, të autorit Muharrem Hasan Shqarri.
Libri nxjerr në dritë veprat dhe vlerat e humanistit britanik Herbert dhe ndihmesën e tij ndaj popullit shqiptar 100 vjet më parë në fillimet e shtetit të tyre.
Aubrey Herbert ishte shumë i angazhuar politikisht në Shqipëri, dhe nëna e tij Lady Elisabeth Carnavon po ashtu u dashurua me Shqipërinë dhe bëri plot vepra kulturore e humanitare, si ngritje shkollash, qendrash mjekësore dhe bibliotekash për rininë.
Në promovimin e librit mori pjesë edhe Eduard Melote, një stërnip i Aubrey Herbertit, aktualisht i përfshirë në diplomacinë britanike. Ai vlerësoi ndihmesën e humanistit Herbert dhe familjes Carnavon për mbrojtjen e çështjes shqiptare dhe shkollimin e rinisë shqiptare, mjekimin dhe edukimin e saj.
Aubrey Herbert ngriti fshatin Qerret dhe shkollën e tij, ndërsa nëna e tij Lady Carnavon ngriti bibliotekën e parë publike në Tiranë, e njohur si ish-ndërtesa e kinemasë “Ali Demi”, që prej disa vitesh është rrafshuar në pritje të ndërtimeve shumëkatëshe.
Qeveria shqiptare e viteve 1920-21 i vuri emrin Aubrey Herbert rrugës së madhe të Kavajës dhe ai ende është sot mjaft i njohur në atë qytet.
“Historia është e rëndësishme”, pohuan studiuesit, “sepse na tregon se ku jemi sot”. /REL/