Telegrafi

Ndërmarrjet publike skajshmërish të politizuara

Instituti për Studime të Avancuara GAP e ka prezantuar raportin me temë “Ndërmarrjet Publike në Kosovë – Ndikimi i Ambientit të Biznesit dhe Menaxhimit në Performancë”, ku u tha se ndërmarrjet funksionojnë në ambient shumë të vështirë për shkak të mosfunksionimit të gjyqësorit.

Prezantuesi i këtij raporti nga Instituti GAP, Berat Thaçi, tha se ndërmarrjet publike si KEK dhe PTK kanë dështuar për shkak të privatizimit.

“Të gjeturat tregojnë se ndërmarrjet funksionojnë në një ambient shumë të vështirë biznesi veçanërisht për shkak të mosfunksionimit të gjyqësorit. Probleme tjera përveç mosfunksionimit të gjyqësorit janë edhe mungesa e inspektimeve, problemet politike të cilat në një mënyrë apo tjetër shkaktojnë qoftë humbje teknike, qoftë humbje komerciale tek ndërmarrjet publike. Disa prej të gjeturave kryesore sa i përket performancës së ndërmarrjeve kryesore tek KEK kemi parë një përmirësim të indikatorëve operativ dhe profitabilitetit mirëpo një shqetësim i madh tek KEK është dominimi i borxhit tek struktura e kapitalit që mendojmë që është urgjente që të adresohet kjo çështje nga qeveria e Kosovës dhe institucionet përkatëse. Tek PTK-ja shqetësimi më i madh është humbja e pjesëmarrjes në treg si pasojë e një procesi të dështuar të privatizimit i cili e ka bllokuar investimet kapitale dhe ka leju që konkurrenca ta fitoj TPK-në gjatë këtij procesi si pasojë e ngecjeve në trendët dhe zhvillimet në rrjetin internetit”, ka thënë ai.

Ndërkohë, Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, tha se duhet të ketë profesionistë që janë lojal ndaj ndërmarrjeve publike e jo ndaj partive politike.

“Po ju a do ta thirrni në interpelancë drejtorin e IntraKos-it, nuk është do me thënë çështja e ministrit që nuk i di detajet por komisioni parlamentar duhet të ketë mbikëqyrje të drejtpërdrejtë ndaj ndërmarrjes publike dhe kjo do të ishte shumë e mirë sepse kemi ndërmarrje publike për furnizim me ujë dhe këta drejtorët regjional të ndërmarrjeve të ujërave kujt i përgjigjen, kujt i japin llogari, kujt i raportojnë, duhet të bisedojnë për këtë çështje me kryetarin e Prishtinës. Teorikisht këta drejtorë të kompanive të ujërave i raportojnë ministrit të zhvillimit Ekonomik por kjo gjë duhet të qartësohet. Në fund ndërmarrjet publike duhet ti raportojnë dikujt. Mendoj s kjo është çështje kyçe që desha ta them. Ju duhet të punoni që të gjeni mënyrën që këto struktura, ndërmarrjet publike të jenë më kompetente, më profesionale”, ka deklaruar ai, derisa ka marrë shembuj se si në Britani ndërmarrjet publike janë udhëhequr nga ushtarakët por që kanë qenë të partive opozitare dhe jo të partisë në pushtet.

Kurse, kryesuesi i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Kosovës, Muhamet Mustafa, ka thënë se duhet të ruhet një ballas ndërmjet menaxhmentit të ndërmarrjeve publike, punëtorëve dhe akterëve tjerë.

“Esenca e kësaj është se në qeverisjen e ndërmarrjeve në përgjithësi por sidomos të ndërmarrjeve publike është mjaft delikat ruajtja e një ballansi midis menaxhmentit, punëtorëve por edhe akterëve tjerë të interesit. Kjo është një çështje mjaft delikate dhe është vështirë të, është më lehtë të definohet një lloj optimumi një lloj përgjegjësie në këtë lloj përgjegjësie në tërë këtë zinxhir të qeverisjes operative por mjaft delikate zbatimi i saj”, ka deklaruar ai.

Mustafa është shprehur se e mbështet raportin e GAP-it se ka dështuar zbatimi i parimeve të qeverisjes moderne korporative në Kosovë, sidomos në ndërmarrjet publike.

Sipas tij, dështimi ka të bëjë me ruajtjen e aseteve dhe nxitjen e investimeve të huaja. Në raport u tha se vendi ynë ka dështuar edhe në pavarësinë e bordeve të këtyre ndërmarrjeve. /Telegrafi/