Site icon Telegrafi

Ndërmarrjet publike dhe “komandantët” e tyre!

Bonusi prej jo më pak se dhjetë mijë euro, përveç pagës së majme, nuk mjaftoi që drejtori i PTK-së të lëkundej nga karrigia. Edhe pse me të drejt mediet e paraqitën këtë skandal, si për ironi të tyre askush nga pushteti nuk e pa të rrugës të merrej me të. Por, sa bonuse të tjera marrin drejtorët dhe menaxherët në këtë dhe kompanitë tjera publike! Sa punëtorë merren pa konkurse çdo ditë, sidomos kohën e fundit.

Për dhjetë vite rresht kemi pasur kaos në ndërmarrjet shtetërore. Të vendosur në krye të ndërmarrjeve dhe agjencive shtetërore, drejtorët dhe menaxherët e tyre shfrytëzojnë gjithçka që munden dhe që u ofrohet. Duke mos u përballur me “dertin”, se ka apo s’ka sukses puna e tyre, pagat dhe privilegjet e tyre kalojnë nivelin pagave të homologëve të tyre në Ballkan dhe në shumë shtete evropiane. Duke lënë larg kryetarin, kryeministrin dhe ministrat e shtetit.

Pavarësisht se këto ndërmarrje dhe agjenci janë prona shtetërore dhe janë ndërtuar nga djersa 60 vjeçare e punëtorëve të Kosovës, ato vazhdojnë të udhëhiqen nga “grushti i fort” i drejtuesve të tyre që në të shumtën e rasteve ose janë militantë partiak ose janë “nipave të nipave”. Duke e shfrytëzuar kontrollin e dobët të shtetit dhe legjislacionin që vazhdon të zhbëjë çdo gjë që ka qenë pronë shtetërore, ata vazhdojnë të sillen sikur ndërmarrjen ta kenë trashëguar në oborrin e tyre! Madje nuk ka rëndësi fakti që shërbimet publike janë më të dobëtat dhe më jo transparentët në mbarë Evropën! Rëndësi ka fakti që të qëndrojë në pushtet ana e tyre politike dhe mundësia për tu pasuruar apo punësuar të afërmit dhe njerëzit e “nahisë” së tyre.

Qytetarët e Kosovës duhet vetëm të paguajnë! Të paguajnë taksat për gjithçka, punëtorët shpërblehen me paga minimale, ndërsa ata që me djersën e tyre kanë ndërtuar këto ndërmarrje bredhin rrugëve dhe marrin katër dhjet euro në muaj. Nuk ka rëndësi nëse për javë të tëra nuk keni ujë, nuk ka rëndësi nëse rryma ju ndalet 20 herë në ditë, nuk ka rëndësi nëse paguani për emetuesin publik dhe nuk e shikoni dot, pasi nuk ka sinjal, nuk ka rëndësi nëse s’mund të realizoni thirrje nga telefoni juaj, nuk ka rëndësi nëse ju ngarkoheni 3 herë më shumë se që është dashur. Ju po ashtu nuk mund të ankoheni, ose ankohuni dhe përgjigjen vetëm ëndërrojeni, pasi përgjigjja është ajo për të cilën ju po ankoheni. Ky është niveli i shërbimeve publike, ky është “respekti” për konsumatorët dhe taksapaguesit!!!

Fajin për këtë kaos e bartim të gjithë. E bartim fillimisht ne si qytetarë. Kjo për faktin që lejojmë të luhet me të drejtën tonë, ose këtë të drejt ja kemi besuar të “pa besëve”. Pa dashur këtu të përjashtohen qeveritë, pasi të gjitha njësoj kanë vepruar. Ndërmarrjet e shtetit janë vendosur gjoja nën mbikëqyrjen e bordeve. Këto borde përbëhen nga njerëzit pasiv dhe partiak, interesi i të cilëve është vetëm paga që marrin në këto borde. Ndërsa një fajtor tjetër janë sindikatat. Sindikata që plaçkitin xhepat tonë çdo muaj dhe që interesi i punëtorëve dhe pasurisë së ndërmarrjeve nuk është pjesë e punës së tyre.

Sikur kjo të mos mjaftonte institucionet tona vazhdojnë të hartojnë plane për shitjen e këtyre ndërmarrjeve. Ndoshta një ditë drejtorët aktual do të jenë dhe pronarë të këtyre ndërmarrjeve? Me dhjetëra ndërmarrje janë shitur deri më tani, me çmime minimale. Qindra punëtorë kanë mbetur rrugëve. Ndërsa edhe për shumë vite nga taksat e qytetarëve do të paguhet për borxhet e Kosovës në ish-RSFJ. Borxhe të krijuara nga blerja dhe ndërtimi i këtyre ndërmarrjeve, që janë shitur dhe shiten me çmime minimale.

(Autori është drejtor ekzekutiv në OJQ “Mileniumi i Ri”, vlerësimet në këtë shkrim janë personale)

Exit mobile version