Site icon Telegrafi

Ndërmarrjet komunale çelës i vetëm suksesi në ofrimin e shërbimeve publike

Tranzicioni i sistemit politik dhe ekonomik solli një gjendje krejtësisht të re në Kosovë. Të nisur kinse nga parimet e ekonomisë së tregut që gjithçka duhet të privatizohet, Institucionet tona apo më mirë të themi zyrtarë të këtyre institucioneve që vendosin për ekonominë në Kosovë, marrin vendime të çuditshme për të privatizuar gjithçka duke sjellë shpesh dilemën se a janë këto institucione duke punuar në të mirën e vendit apo të kundërtën.

Kemi dëgjuar shpesh për reagime të zyrtarëve komunal lidhur me pronën komunale e cila në disa raste edhe pse ka qenë e evidentuar si e tillë është shitur duke mos përfillë interesin e komunave që në shkallën e organizimit tonë janë shkalla e parë e organizimit dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve.

Shpesh ka ndodhur që pronën e Komunës është dashur që ta mbrojnë në procedura gjyqësore ndaj Institucioneve të këtij vendi që kanë marrë vendime arbitrare dhe të çuditshme. Kështu toka e kooperativave bujqësore, ndërmarrjeve të falimentuara para luftës apo edhe pronave tjera komunale janë shitur në kundërshtim me interesin e Komunës dhe qytetarëve. Sot kemi një gjendje të vështirë për komuna kur ndonjë donatorë ofrohet për ndërtim të një çerdhe apo shkolle dhe komunat nuk kanë tokë për të mundësuar realizimin e këtyre donacioneve e mos të flasim të investitorëve.

Për të qenë gjendja edhe më e rëndë në komunat tona, janë edhe vendimet e marra për të shitur ndërmarrjet shoqërore që kanë ofruar shërbime direkte për qytetarë. Në vend të forcimit të këtyre ndërmarrjeve, duke i deleguar kompetencat tek komunat, janë shitur edhe ato ndërmarrje që janë jetike, si ndërmarrja dhe prona e tregjeve, stacionet e autobusëve, ndërmarrjeve për mirëmbajtjen e rrugëve etj.

Shembull një qyteti i shitet tregu, e në anën tjetër me legjislacionin në fuqi komuna në bazë të përgjegjësive duhet të krijojë dhe menaxhon me tregje. Format që tregjet e shitura të mbesin me statut të tillë nuk janë aspak të zbatueshme, ngase nuk ka mekanizma kontrollues e detyrues. A thua ka qenë më lehtë që një ndërmarrje të tillë të kalohet nën kompetencat e komunës apo është dashur të krijohet një amulli e tillë.

Komunat kanë shumë vështirësi që të ofrojnë shërbime publike cilësore në mungesë të mekanizmave siç kanë qenë ndërmarrjet komunale. Mbushja e gropave nëpër rrugët tona duhet të tenderohet, dhe shpesh, për shkak të procedurave të komplikuara të tenderimit gropat mbesin pa u rregulluar me muaj. Gjendje e njëjtë është edhe tek mirëmbajtja e ndriçimit, mirëmbajtjes së banesave, varrezave, pastrimit të rrugëve, largimit të borës, trajtimit të mbeturinave, transportit publik, objekteve kulturore e sportive etj.

Në shumicën e rasteve, komunave i është bartur përgjegjësia për ndërmarrjet e mbledhjen e mbeturinave, ndërsa që paradoksi më i madh janë ndërmarrjet e ujit e kanalizimeve të cilat nuk i përgjigjen komunave, ndërsa komunat bëjnë investime në shtimin dhe rregullimin e rrjetit të ujit apo kanalizimeve – e pastaj këto rrjete i dorëzohen ndërmarrjes e cila pastaj vetëm me vullnetin e drejtorit apo bordit, mund të koordinojë punët apo bashkëpunon me institucionet komunale.

Është koha e fundit që kjo gjendje të ndryshoi. Qeveria e Kosovës duhet menjëherë që ato ndërmarrje që ofrojnë shërbime publike ti transferojnë tek komunat. Ndërmarrjet e ujit dhe kanalizimeve, tregjeve, ato të transportit publik (autobusët dhe stacionet), ndërmarrjet banesore, ndërmarrjeve për mbledhjen e mbeturinave me të gjitha asetet e tyre etj., të kalojnë nën menaxhimin e komunave, ndërsa që komunat përmes bordeve të ushtrojnë menaxhimin e këtyre ndërmarrjeve.

Sigurisht që kjo do të ndihmon dukshëm në veprimtarinë e këtyre ndërmarrjeve por ajo çka është edhe më e rëndësishme të përmirësohen shërbimet publike që ofrojnë këto ndërmarrje, ngase deri më tani është parë që mbikëqyrja ka munguar.

Funksionimi i komunave në rajon por edhe më gjerë nuk mund të mendohet në formën siç janë komunat tona në Kosovë. Zagrebi shembull aktualisht ka 23 ndërmarrje komunale, duke përfshirë edhe ato profitabile, si ndërtimi i banesave, ndërmarrjes tregtare, rrjetit të barnatorëve etj. Edhe komunat në shtetet fqinje si Maqedoni, Shqipëri, Serbi por edhe në shtetet evropiane kanë të organizuara ndërmarrje të tilla komunale, apo holding kompani që kryejnë shërbime publike.

Po ashtu komunat e Kosovës duhet të krijojnë holding kompani, të cilat do të përfshinin ndërmarrjet ekzistuese si dhe ato që do të krijoheshin në ndërkohë, si për mirëmbajtjen-pastrimin e rrugëve, ndriçimit publik e sinjalistikës, mirëmbajtjes së objekteve komunale (shkollave, ambulancave…), sipërfaqeve të gjelbëra, parkingjeve, reklamave etj.

Këto ndërmarrje do të krijonin kushte për ofrimin e mirëfilltë të shpejtë e cilësor të shërbimeve ndaj qytetarëve por do të krijonin edhe mundësi të kursimit të buxheteve komunale ngase punët në mirëmbajtje apo fusha tjera ndërmarrjet komunale do ti kryenin me qëllim të mbulimit të funksionimit e jo përfitimit siç logjikshëm bëjnë ndërmarrjet private që përmes tenderëve kryejnë aktualisht një pjesë të madh të këtyre shërbimeve.

Qeveria e Kosovës duhet të rregullojë edhe çështjet e pasurive të pazgjidhura siç janë banesat e programeve të ashtuquajtura Ju-programit, pastaj të mediumeve publike siç kanë qenë radiot lokale etj.

Me krijimin e ndërmarrjeve të reja komunale që ofrojnë shërbime publike por edhe të atilla që do të krijojnë profit për buxhetet komunale, komunat do të fuqizohen edhe në aspektin financiar edhe në atë të ofrimit të shërbimeve publike. Nuk shoh se kush do të mund të humb në rast të krijimit të ndërmarrjeve komunale apo holding kompanive komunale, përveç një grup i vogël i bizneseve që aktualisht përfitojnë nga punët që bëjnë në shërbime të tilla.

Bizneset apo ndërmarrjet private duhet të përfshihen përmes aksioneve të caktuara në këto ndërmarrje të reja ,që do të krijonte mundësinë e investimeve në krijimin e mjeteve dhe kushteve për punë të ndërmarrjeve komunale.

Qeveria e parlamenti duhet të ndryshojnë ligjet dhe tu krijojnë kushtet komunave që të jenë të suksesshme në zbatimin e përgjegjësive të tyre.

Ne duhet ta dimë që duhet shpejtë ti përmirësojmë shërbimet ndaj qytetarëve andaj duhet të praktikojmë forma të sprovuara se si ta bëjmë këtë.

(Autori është ish-drejtor i Administratës Komunale në Pejë)

Exit mobile version