Mbas tragjedisë në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është duke diskutuar sërish ligjin e armëve. Por kësaj here presioni nuk është duke u ushtruar nga politika por nga firmat dhe klientët e tyre.
Të enjten në mbrëmje nga Twitteri i First National Bank of Omaha u lëshua një mesazh i cili mori shumë pëlqime. Zakonisht jo më shumë se 20 konsumatorë klikojnë mbi zemrën e vogël të Twitterit të bankës. Por kësaj here shifra arriti në katërmijë. Ky ishte fillimi i një serie Tweet-ve që tërhoqën vëmendjen e publikut në të njëjtën mënyrë. Në Twitterin e bankës thuhej se meqenëse kërkojnë klientët banka do t’i japë fund partneritetit me lobin më të madh amerikan të armëve (NRA). Banka kishte ofruar më parë një kartë krediti me kushte të favorshme për anëtarët e NRA-së.
Twitter-i është kthyer sërish në shesh beteje për rezistencën e amerikanëve. Objektivi kësaj herë është lobi më i madh dhe më i pasur i Amerikës. Shoqata NRA, me hashtagun #BoycottNRA konsumatorët i bëjnë thirrje njëri-tjetrit dhe firmave siç është First National Bank of Omaha që të ndërpresin lidhjet me NRA. Kjo është loja e mediave sociale dhe amerikanëve të nevrikosur, e cila ka bërë që mbas tragjedisë në Florida dhjetëra firma të distancohen nga NRA.
Kompanitë kanë qenë dekada të tëra pjesë e programeve favorizuese për NRA. Me anëtarësimin vjetor prej 30 dollarësh në shoqatë, anëtarët e NRA kanë marrë deri tani lehtësira dhe shërbime me ulje nga shoqëritë e sigurimit si MetLife, kompanitë e fluturimeve ajrore si United Airlines dhe Delta, firmat për marrjen me qira të automjeteve si Hertz dhe Alamo, të rrjeteve të hoteleve, të prodhuesve të verërave dhe një prodhuesi të aparateve të dëgjimit. Sipas një studimi të Fortune, NRA është një nga tri organizatat më të fuqishme lobiiste të vendit, kontaktet e saj janë futur thellë në botën e biznesit në Amerikë.
Por kompanitë janë duke u dorëzuar para presionit që u bëhet prej konsumatorëve, dhe janë duke i ndërprerë kontaktet me NRA. “NRA është keq për biznesin”, thotë William Klepper, i cili jep lëndën manaxhim në Universitetin e Columbia-s. Firmat ndodhen para një dileme etike. Ato duhet të peshojnë nga u vjen dëmi më i madh, po të humbasin klientët apo po të ndërpresin kontaktet me pesë milionë anëtarët e NRA-së. “Aktualisht janë duke fituar klientët dhe paratë e tyrë”, thotë Klepper.
Faktikisht presioni është rritur shumë pas tragjedisë së fundit dhe kjo ka bërë që kompanitë të marrin anën e konsumatorëve, kur këta kërcënojnë me bojkotim.
“Demostrimet e studentëve nga Parklandi dhe prezenca e tyre në mediat sociale kanë pasur efekt të madh”, thotë Klepper. Kompanitë nuk mund të qëndrojnë ende të lidhura me NRA.
NRA u përgjigj të shtunën e kaluar me një njoftim në faqen e saj të internetit për refuzimet masive. Kompanitë dënojnë kështu anëtarët e NRA, që janë doktorë, zjarrfikës dhe mësues. NRA i quan bojkotimet ‘skena të turpshme të frikës politike dhe qytetare’. Sipas tyre, kompanitë e reja që ofrojnë të njëjtat shërbime të favorizueshme gjenden pa humbur kohë.
“Por nëse NRA humbet klientët e vet, që janë në numër pesë milionë, atëherë ajo nuk do të jetë në gjendje të ekzistojë financiarisht. Pjesa më e madhe e parave nuk vijnë nga anëtarët, por nga burime të tjera”, thotë Josh Israel nga ekipi hulumtues ThinkProgress, shkruan DW.
Kështu për shembull NRA fiton shumë para me programet e trajnimit të qitësve. Në vitin 2015 këto programe përbënin me 180 milionë dollarë, pjesën më të madhe të volumit financiar të shoqatës. Edhe dhurues privatë e ndihmojnë financimin e NRA. CNN Money shkruan se NRA ka marrë nga viti 2005 deri në vitin 2014 rreth 85 milionë dollarë dhurime nga donatorët e veçantë. Në vitin 2014 ka marrë 22 milionë.
Megjithatë për NRA mund rritet rreziku nëse prodhuesit e mëdhenj të armëve humbasin investitorët. NRA është e lidhur ngushtë me fatin e prodhuesve dhe biznesin të tyre. Prodhuesi si Sturm & Ruger marrin pjesë direkt tek NRA me fitimet e saj. Për çdo armë të blerë Strum & Ruger i jep një dollar grupit lobist. Duke parë blerjet e tremujorit të fundit sheh se kjo shumë mund të ketë qenë disa milionë dollarë.
“Administratorët më të mëdhenj të pasurive në botë, Black Rock, janë një nga aksionerët më të mëdhenj të armëve dhe municionit Sturm & Ruger dhe American Outdoor Brands dhe aksionari i dytë më i madh i Vista Outdoor. Black Rock nuk është tërhequr ende. Ata investojnë në të gjitha paletat dhe nuk mund të heqin dorë aq lehtë si kompani e vetme”, thotë Israel.
Por Black Rock ka kërkuar të gjenden përgjigje për pyetjen se si kompania mund t’i trajtojë tragjedi të tilla në të ardhmen. Edhe Bank of America ka dhënë një njoftim të tillë. Kështu ato reagojnë për presionin e aksionarëve, paratë e të cilëve ata administrojnë. Të paktën tregojnë se janë duke ndjekur me vëmendje ngjarjet. /Telegrafi/