Telegrafi

Ndërkombëtarët vodhën 400 milionë euro në Kosovë

Një grup i përbashkët hetimor nga Autoriteti i BE-së kundër Korrupsionit dhe Mashtrimit, i përbërë edhe nga hetues të Kombeve të Bashkuara dhe Policia Financiare e Italisë ka hulumtuar 50 raste të dyshuara për korrupsion dhe mashtrim parash.

Në dymbëdhjetë raste është dëshmuar veprimtari kriminale, thuhet ne raportin e fshehte të këtij grupi hetimor.  Në 27 raste janë konstatuar parregullsi të procedurave dhe shkelje të rregullave të Kombeve të Bashkuara.

2, 3 miliardë euro të tatimpaguesve evropianë janë derdhur në rindërtimin e Kosovës që nga viti 1999. Kjo do të thotë se BE-ja në Kosovë ka investuar më shumë para se në çdo vend tjetër, jashtë Bashkimit Evropian. Deri në vitin 2011 BE do të derdhë në Kosovë edhe një miliardë euro të tjera.

Dy raporte të pavarura, një i BE-së dhe tjetri i OKB-së paralajmërojnë se korrupsioni dhe mashtrimi në Kosovë janë përditshmëri. Sipas këtyre raporteve një pjesë e madhe e parave ka humbur kanaleve të errëta.

“OKB ka lejuar korrupsionin dhe mashtrimin. Miliona pa numër të tatimpaguesve nga vende të BE-së janë vjedhur pa gjurmë, kurse fajtorët shëtisin të lirë", citon Die Welt zëdhënësen e Komisionit për Kontrollin e Buxhetit të Parlamentit Evropian, Ingre Gressle.

Sipas raportit, keqpërdorim dhe vjedhje janë bërë edhe gjatë rindërtimit dhe investimeve në Aeroportin e Prishtinës. Manipulimet janë bërë kryesisht gjatë shpalljes se tenderëve.