Telegrafi

Ndërkombëtarët transferojnë 40 milionë euro për 6 muaj

Vetëm për gjashtë muajt e parë të vitit të kaluar, stafi ndërkombëtar ka realizuar trasfere financiare nga Kosova në vlerë prej 40.6 milionë euro. Kështu thuhet në një raport të Bankës Qendrore të Kosovës(BQK) për vitin 2009, të cilin raport e posedon edhe gazeta “Zëri”. Kjo shumë e transefereve e realizuar nga Kosova, për një numër jo të madh të stafit ndërkombëtarë të angazhuar këtu (rreth 15 mijë veta), sipas ekspertëve kosovarë të ekonomisë dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile është shumë e madhe.

Prandaj, siç thonë ata, stafi ndërkombëtarë “bënë luftë” për të ardhur në mision në Kosovë, i cili mision vlerësohet mjaft i qetë dhe atraktiv. Nënkryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se Kosova është parajsë financiare për ndërkombëtarët. Sipas tij, këta të fundit për një periudhë të shkurtër kohore që vijnë në mision këtu e sigurojnë të ardhmen financiare të tyre.

”Vet fakti që për një periudhë të shkurtër kohore kanë realizuar transfere nga Kosova në vlerë prej dhjetëra milionë euro, pa i përfshirë këtu edhe mjetet që dërgohen jashtë sistemit bankar, atëherë janë të arsyeshme pohimet se ndërkombëtarët “bëjnë luftë” për të ardhur në mision këtu”, shprehet Gërxhaliu.

Sipas numrit dy të OEK-ut, stafi ndërkombëtarë nga pagat që i marrin, bëjnë shpenzime në Kosovë për pagesa të qirasë dhe për ushqim, por jo edhe investime kapitale, prandaj, një shumë e konsiderueshme e mjeteve që fitohen këtu transferohen në vendet prej nga vjen stafi ndërkombëtar.

Ai ka shtuar se përpos transfere që kalojnë nëpër sistemin bankar, të cilat edhe evidencohen, një pjesë e konsiderueshme e mjeteve shkojnë jashtë këtij sistemi, për të cilat mungojnë të dhënat e sakta./zeri/