Çështja e emrit nuk është e thjeshtë për ta zgjidhur, por besoj se ka vullnet politik në Athinë dhe Shkup. Këtë e ka deklaruar zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee në intervistë për televizionin “Bloomberg” në gjuhën bullgare. Yee vlerëson se kjo është mundësi e mirë që të dy shtetet të arrijnë marrëveshje.
“Do të kërkohet punë e pandalshme sepse çështja nuk është e thjeshtë për ta zgjidhur. Do të kishte qenë më mirë që të tejkalohej para 25 viteve, por nëse të dy shtetet vazhdojnë të punojnë si deri më tani, nën patronazhin e Methju Nimic, përfaqësuesit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara si ndërmjetës, ne besojmë që kjo mund të jetë e mundshme”, deklaroi Hojt Brajan Yee, zëvendës ndihmës sekretar amerikan i shtetit.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg nga ana tjetër në intervistë për emisionin “360 gradë” në Alsat tha se Samiti i NATO-s në korrik është mundësi e shkëlqyeshme, por jo edhe afati përfundimtar për ftesë për anëtarësimin e Maqedonisë në Aleancë. Në pyetjen nëse Maqedonia e zgjidh çështjen e emrit dhe nëse ka konsensus mes vendeve – anëtare në takimin e ardhshëm a do do t’i dërgohet ftesë vendit për anëtarësim, Stoltenberg përkujtoi edhe rëndësinë e reformave.
“Aleatët e NATO-s disa herë kanë përsëritur vendimin nga viti 2008-të se pajtohen ta ftojnë këtë shtet që të bëhet anëtare e Aleancës nëse ka zgjidhje të çështjes së emrit në suazat e Kombeve të Bashkuara. Ky vendim vlen. Njëkohësisht, fokusi i madh është tek reformat sepse NATO-ja bazohet në vlerat esenciale, siç është sundimi i të drejtës, demokracia, liritë individuale dhe këto vlera kuptohet që janë të rëndësishme për çdo shtet që mendon t’i bashkohet Aleancës”, tha Jens Stoltenberg, sekretar i përgjithshëm i NATO-s.
Pas pauzës trevjeçare, bisedimet rreth dallimeve të emrit me Greqinë sërish u intensifikuan me ndërrimin e pushtetit në Maqedoni ndërsa lëvizje politiko- partiake ka edhe në Athinë.