Telegrafi

Ndërkombëtaret bëjnë thirrje kundër dhunës gjatë protestës së opozitës

Ambasada e SHBA-së përmes një reagimi ka dënuar dhunën gjatë protestës së opozitës.

“Objektivi i deklaruar i opozitës për ta bërë demokracinë e Shqipërisë më të fortë shkon kundër dhunës që është duke u ushtruar nga protestuesit. Dhuna është thellësisht jodemokratike dhe duhet të ndalojë. Drejtuesit e protestës kanë përgjegjësinë të nxisin qetësi”, thuhet ne reagimin e Ambasadës Amerikane.

Edhe Ambasada Britanike ka reaguar duke nxitur të gjithë që të tregojnë respekt për sundimin e ligjit.

“Është koha për qetësi dhe vetëpërmbajtje dhe demonstrime paqësore”, thuhet në reagimin e ambasadës britanike për dhunën në protestë.

Ndërsa OSBE thekson se organizatorët e protestës së mbrëmjes të së shtunës duhet të mbajnë përgjegjësinë politike për dhunën kriminale të ushtruar nga disa prej ndjekësit e tyre.

Lexo po ashtu Ambasada Amerikane dënon dhunën në protestën e opozitës në Tiranë

“Mendimet tona shkojnë me familjet e të plagosurve. OSBE-ja do të vijojë të nxisë opozitarizmin efikas dhe dialogun në Shqipëri. Por ne i dënojmë plotësisht ata që përpiqen të përdorin dhunën si një rrugë të shkurtër politike; ata do të dështojnë”, thuhet ne reagimin e OSBE.

Edhe presidenti Ilir Meta në reagimin e tij ka shprehur shqetësimin e u ka bërë thirrje qytetarëve të distancohen nga këto veprime.

Lexo po ashtu Opozita në Shqipëri sërish në protestë të hënën

“I bëj thirrje sërish të gjithë individëve që të distancohen nga aktet e dhunës dhe Policisë së Shtetit të ruajë qetësinë dhe të evitojë përdorimin e panevojshëm të dhunës ndaj protestuesve”, thuhet ne reagimin e kreut te shtetit.

Ndërsa, kryeministri Edi Rama përmes reagimit te tij në Twitter ka vlerësuar profesionalizimin e policisë përballe akteve të dhunës.

Lexo po ashtu Mediet ndërkombëtare pasqyrojnë protestën e opozitës

“Respekt për trupat e Policisë së Shtetit që me profesionalizmin e tyre nderuan uniformën e shtetit përballë një turme të udhëhequr nga dëshpërimi i politikës qorre. Shërim të shpejtë për policët e plagosur dhe ndëshkim për dhunuesit e tyre e për zjarrvënësit e institucioneve!”, thuhet ne reagimin e Ramës. /TCH /Telegrafi/