Site icon Telegrafi

Nderimi i dëshmorëve dhe amaneti i tyre

(Me rastin e 3-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës)

Kosova dhe i gjithë kombi shqiptar festoi të premten 3-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Pas një shekull martirizimi dhe një robërie shekullore nën thundrën sllavo-komuniste edhe për Kosovën, Dardaninë e lashtë, më në fund lindi Hylli i Dritës. Është me vend dhe e drejtë që ky përvjetor të festohet me krenari ashtu si i ka hije kësaj ngjarjeje të madhe historike të kombit. Ky përvjetor, jam i sigurt, do të festohet si ne Kosove ashtu edhe jashtë saj me fjalime, me darka të shtruara me ketë rast , me muzikë e këngë, si një ngjarje festive që është.

Por kjo është gjithashtu një ditë, në të cilën duhet të reflektohet dhe të mbahen mend e të përkujtohen të gjithë ata që benë sakrificën maksimale për lirinë dhe pavarësinë që gëzon sot Kosova, ata heronj e heroina që dhanë jetën për lirinë e këtij populli, dëshmorëve, te cilët me veprat e tyre shuguruan vullnetin e popullit duke u qëndruar besnik traditave më të shëndosha të kombit

Historia e kombit shqiptar ka nxjerrë shumë heronj lufte e heronj paqeje, por edhe heronj pende, mendimesh e idesh. Këta heronj, ishin sy patrembur, urrenin padrejtësitë dhe shtypjet ndaj kombit të vet dhe ishin të gatshëm që për lirinë dhe për sigurimin e triumfit kombëtar të bënin sakrificën më të madhe, të jepnin jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, dhe si rrjedhim edhe për atë që besonin se do të ishte një e ardhme më e ndritur e kombit shqiptar. Pavarësia e Kosovës, përvjetori i së cilës u festua të premten, mbi të gjitha, meritë e dëshmorëve të kombit dhe si e tillë është edhe një festim i bashkimit të shpirtrave të të vdekurve me të gjallët, ndërkohë që festohet ky përvjetor i shënuar, por edhe gjatë gjithë vitit. Ky përvjetor, duhet të shërbejë si një lidhje me brezat e kaluar të dëshmorëve, por edhe të rilindësve te kombit, lidhje këto që përshkohen nga dhimbjet dhe sakrificat , por në të njëjtën kohë dhe përcaktojnë detyrat për të ardhmen e kombit.

Duke marrë parasysh antagonizmat dhe përçarjet e tanishme politike në Shqipëri, në Kosovë, por edhe në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan, dëshmorët janë ata që duhet të bashkojnë të gjithë, pasi ata luftuan për një ideal të shenjtë dhe ndonëse ata vinë nga të gjitha krahinat, e u përkasin të gjitha rrymave politike, qëllimi i vetëm i të cilëve ishte për të krijuar një atdhe të denjë e të pavarur për shqiptarët vet dhe që në të njëjtën kohë, kombi shqiptar të jetë pjesë e bashkësisë euro-atlantike dhe ndërkombëtare, në paqe dhe siguri me fqinjët e vet.

Pavarësia është sanksionuar me luftë kur ishte nevoja, ndërsa, në kohe paqeje si sot, dashuria për atdhe dhe për pavarësi tregohet me punë e vepra. Sot, Kosova dhe Kombi Shqiptar kanë nevojë për heronj mendimesh e idesh, njerëz që me fjalë e vepra përpiqen të çojnë në vend amanetet e të parëve si edhe të shpërblejnë gjakun e derdhur të dëshmorëve për lirinë dhe pavarësinë e kombit shqiptar. Kjo, sepse sipas Midhat Frasherit, “Përpjekja për Atdhenë nuk është si puna e yshyrevet, që njeriu e bën hesap a del a s’del, para se t’i marri. Vetëm kur blihen të dhjetat ose kur bëhet tregti, bëhet hesap a fitohet apo humbet, por jo në çështjen kombëtare, jo kur është në rrezik Vendi”.

Le të kujtohen ata që dhanë jetën për atdhe, ashtu që liria të triumfojë, anë e mbanë trojeve shqiptare. Sepse ata dëshmorë, nga të gjitha viset shqiptare, dhe gjatë gjithë kalvarit të historisë kombëtare, luftuan e vdiqën për këtë ditë, për këtë pavarësi. Ata luftuan dhe sakrifikuan jetën kundër sllavit, kundër komunizmit, kundër armiqve të betuar të trojeve ilire të të gjitha kohërave, kundër atyre që shqiptarit i vodhën tokën dhe kundër atyre që kombit shqiptar i cenuan dhe i mohuan lirinë dhe mëvetësinë, dhe kundër atyre që më në fund copëtuan Shqipërinë.

Me rastin e festimit të përvjetorit 3-të të pavarësisë së Kosovës, nga varret e dëshmorëve dëgjohet gjëma dhe thirrja për më shumë bashkim, më shume pajtim, sidomos pajtim politik, më shumë respekt për njeri tjetrin, dhe më shumë moral ashtu që sakrificat e tyre maksimale të sjellin ditë më të mira për brezin e sotëm dhe për brezat e ardhshëm të kombit.

Është një gjë e denjë dhe e drejtë, pra, që të festohet Pavarësia Kosovës, e të përkujtohen edhe sakrificat e dëshmorëve, dhe jo vetëm në Ditën e Pavarësisë. Duke marrë parasysh gjendjen e polarizuar të politikës shqiptare kudo, besoj se përkujtimi më i mirë i dëshmorëve dhe festimi më i shkëlqyeshëm i përvjetorit të 3-të të Pavarësisë së Kosovës do të ishte që të ndërmerrej një angazhim serioz, sidomos nga klasa politike shqiptare në përgjithësi, për një moral të ri politik që t’i japë një formë të re debatit dhe diskursit politik për zgjidhjen e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve politike që shpesh janë normale, por të paevitueshme në një shtet dhe shoqëri demokratike siç janë Kosova dhe Shqipëria. Respekti dhe besimi në njëri tjetrin janë elementë kryesorë për formimin e një shoqërie të civilizuar dhe ata udhëheqës politikë që përvetësojnë këto cilësi do t’i njohë historia si udhëheqës që treguan kurajë morale, në një periudhë jetike dhe jashtëzakonisht kritike në historinë e kombit shqiptar. “Ata që luftuan dhe siguruan pavarësinë, besonin se liria ishte sekreti i lumturisë dhe kuraja (civile) sekreti i lirisë”. (Louis D. Brandeis)

Cili do të jetë i pari ndër udhëheqësit e sotëm shqiptarë që do të përpiqet të transformojë atmosferën e tanishme të acaruar politike, morale dhe civile anë mbanë trojeve shqiptare, duke treguar kurajë civile, karakter, respekt dhe mirëkuptim për mendimet dhe qëndrimet e kundërshtarit politik?
Shqiptarët kanë nevojë për udhëheqës politikë të cilët janë të interesuar të lënë mënjanë pikëpamjet e kundërta dhe interesat e ngushta personale e partiake, me qëllim që të arrihen objektivat e interesit të përbashkët shoqëror e kombëtar, si edhe për udhëheqës që përpiqen të bashkojnë dhe jo t’i ndajnë njerëzit. Në këtë përvjetor të Pavarësisë së Kosovës, dëshmorët e kombit shqiptar – të pushkës e të pendës – bëjnë thirrje për udhëheqës që punojnë për interesat kombëtare, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë edhe nevojave të qytetarëve për një jetë më të mirë dhe më të begatë.

Kjo, në të njëjtën kohë, është një dëshirë edhe e miqve që ia duan të mirën kombit shqiptar, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat ndihmuan aq shumë në realizimin e Pavarësisë së Kosovës. Duke i uruar Pavarësinë popullit të Kosovës, Sekretarja e Shtetit, Znja Hillari Klinton, u shpreh se Washingtoni “është i përkushtuar për të ardhmen tuaj dhe se jemi të nderuar të jemi miqtë e juaj”, ndërsa ajo porositi në të njëjtën kohë që ky përvjetor të jetë gjithashtu “një rast i përshtatshëm për udhëheqësit e zgjedhur politikë të Kosovës që ta forcojnë përsëri përkushtimin e tyre për qeverisje të mirë dhe transparencë”.

Në këtë datë historike, është thirrja e kombit dhe e dëshmorëve të tij, ajo që ushton për të gjithë e sidomos për klasën politike të të gjitha partive anë e mbanë trojeve shqiptare: shërbeni vendit me integritet, mirëkuptim dhe respekt për njëri tjetrin, sepse duke i shërbyer Kombit për ta bërë atë më të mirë se ç’ishte, i shërben më së miri vetes dhe familjes dhe në të njëjtën kohë shprehë adhurimin dhe nderimin ndaj dëshmorëve të rënë për lirinë dhe pavarësinë e Shqiptarëve. Ata nuk duan asgjë më pak as më shumë se këtë ideal, që ata e ushqyen dhe e shenjtëruan me gjak.

Exit mobile version