Në Landovicë të Prizrenit, sot u varros me nderime të larta ushtarake kapiten Sejdi Krasniqi, komandant i Kompanisë së Deminimit të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të FSK-së, i cili të dielën, pas një sëmundje të rëndë ndërroi jetë.
Para se të kryhej ceremonia e varrimit, nga ora 10:00-1100, në kazermën e FSK-së në Prizren, u bënë homazhe, ndërsa nga ora 12:00, në Shtëpinë e Kulturës në Prizren, në nderim të kapitenit Krasniqi u mbajt akademi përkujtimore. Ndërsa në orën 13:30 u bë ceremonia e varrimit në varrezat e dëshmorëve në Landovicë.
Në akademinë përkujtimore, ku ishin ardhur shumë personaliteti shtetërore, politike, ushtarake dhe qytetarë të shumtë, në emër të FSK-së, foli komandanti i Komandës së Forcave Tokësore gjeneral brigade Enver Cikaqi.
Ai u shprehu ngushëllimet familjes, pjesëtarëve të FSK-së, shokëve dhe kolegëve dhe më pas, foli për jetën dhe veprën e kapiten Krasniqit.
Cikaqi tha se Sejdi Krasniqi ka ofruar shumë në shërbim të vendit, FSK-së, “andaj sot e kujtojmë si ushtarë e mbrojtës të Lirisë, mik të veçantë, humanist e i palodhur në shërbim të vendit tonë”.
Në këtë akademi u lexua edhe telegrami i ngushëllimit i dërguar familjes Krasniqi nga Ministri i FSK-së Rrustem Berisha.
Ndërsa, në emër të veteranëve të luftës të Prizrenit, foli sekretari i Organizatës së veteranëve të Luftës së UÇK-së, Isa Berisha.
Kurse për jetën dhe veprimtarinë e kapiten Sejdi Krasniqit në emër të qytetit të Prizrenit foli kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.
Në emër të familjes të gjithë të pranishmit i ka falënderuar Arbnor Sejdi Krasniqi./Telegrafi/