Sot nga familjarë, miq, shokë e ushtarak të Forcës së Sigurisë së Kosovës i është dhënë lamtumira e fundit nënoficerit të FSK-së, rreshter i parë Nijazi Uruqi.
Sipas njoftimit për media, paradite në kazermën “New Born” në Gjilan janë bërë homazhe pranë arkivolit nga Komandanti i Brigadës së Mbështetjes Operacionale Gjeneral brigade Naim Haziri, të gjitha njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kolegë, shokë e bashkëluftëtarë.
Më pastaj kortezhi ka vazhduar për në fshatin e lindjes, ku është varrosur me nderime ushtarake, në praninë e një numri të madh të qytetarëve nga e gjithë Kosova, miq e familjarë.
Në fjalën e tij lamtumirëse, ish Komandanti i Zonës Operative të Karadakut Ahmet Isufi çmoi lartë angazhimin e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Atëherë kur Atdheu thërriste për t`i dal zot, Nijaziu e la kurbetin dhe erdhi të luftoj me nderë për Atdheun”, ka thënë ai.
Ndër të tjera në njoftim thuhet se për herë të fundit nga i ndjeri është ndarë Komandanti i Regjimentit të Mbrojtjes Civile, kolonel Shaip Haziri, cili në fjalën e tij theksoi Nijaziu ka qenë shembull i ushtarakut të zellshëm.
“Nuk ka ushtarak në Regjimentin ku unë komandoj, që nuk e ka dashur dhe respektuar Nijaziun. Ka qenë shembull i një ushtaraku të zellshëm e me plotë motiv për punë. Me mençurinë dhe sinqeritetin e tij ai bëri për vetë kë do që ka pas rastin ta njoh. Ndihemi krenarë që bashkërisht ndërtuam themelet e sigurta të ushtrisë së Kosovës për të cilën Nijaziu punoi pa reshtur gjithë jetën”, ka thënë ai.
Në fund të ceremonisë u vendosën kurora të shumta lulesh nga shok, miq, bashkëluftëtarë, koleg, ushtarak e shokë nga të gjitha viset shqiptare./Telegrafi/