Telegrafi

Nderime dhe homazhe në 23 vjetorin e rënies së Ahmet Gjikollit

Me homazhe dhe nderime tek përmendorja e tij, në qendër të Pejës, është shënuar sot 23 vjetori i rënies heroike të dëshmorit të kombit Ahmet Gjikolli nga Peja, i rënë më 7 maj 1999, në betejën e Çabratit në mbrojtje të qytetit të Gjakovës.

Familjarë, shokë e bashkëluftëtarë të Ahmetit, kanë kujtuar dhe nderuar veprën heroike të tij, nëpër të gjitha betejat e Rrafshit të Dukagjinit e deri në betejën e tij të fundit në Çabrat, ku edhe ra heroikisht në përballje me forcat okupatore serbe.

Edhe pse sot në këtë përvjetor, munguan politikanë dhe përfaqësues institucional, ishin shokët e luftës dhe të idealit të Ahmetit, ata që i qëndruan pranë nënës Shemë dhe familjes Gjikolli.

Homazhe dhe nderime kanë bërë edhe oficerë të lartë policor, nga Policia Rajonale e Pejës.

Homazhe janë zhvilluar edhe tek varri i tij, në kompleksin e varrezave të Dëshmorëve të kombit, në varrezat e qytetit të Pejës si dhe në vendin e rënies në Gjakovë.

Ahmet Gjikolli ka qenë ushtar i dalluar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që nga ditët e para të luftës, duke u rreshtuar dhe shërbyer në Zonën e III-të Operative të Dukagjinit, nën komandën e Ramush Haradinajt, (ish-kryeministër i Kosovës dhe kryetar i AAK-së).

Sipas ushtarakut Hekuran Hoda, Ahmeti do binte në fushën e nderit me fjalët, ‘Liri ose vdekje’. Ahmeti drejtpërdrejt në aksion ishte nën komandën e Komandantit Agron Kryeziu.

Ahmet Gjikolli fillimisht ishte varrosur në Çabrat, ndërsa pak ditë pas çlirimit të Kosovës dhe Pejës, më 3 korrik të vitit 1999, ishte rivarrosur me nderime të larta ushtarake në kompleksin e varrezave të Dëshmorëve në Pejë. /njeshi/