Nga: Alicia Jurado
Përktheu: Bajram Karabolli
***
Ficciones ishte libri i parë i Borgesit që kam lexuar, disa vite më parë. Aso kohe jetoja ende me tim shoq. Isha në shtrat me një të ftohtë ose shqetësime të tjera të përkohshme, kur një miku ynë, Rodolfo Martelli, që vinte për të ngrënë me ne, më solli si dhuratë një kopje të atij libri, për të më ndihmuar të përballoja vetminë e detyruar. E lexova me një frymë, e mahnitur dhe e mrekulluar, sepse ai libër nuk ngjante me asgjë që kisha lexuar apo ditur deri atëherë. Në të gjeta jo vetëm një mendje origjinale, por edhe tronditëse, gjeta një stil letrar aspak të zakonshëm në letërsinë tonë. Ishte tejet sintetik dhe i zhveshur nga stolitë, me epitete të admirueshëm dhe me një përdorim të veçantë të foljeve që, në atë prozë koncize, pothuaj spartane, i jepnin mprehtësi retorikës. Por, pak kohë më vonë, kur lexova veprën e tij poetike, admirimi im intelektual u kthye në entuziazëm pasionant. Më kujtohet që ecja nëpër shtëpi, me një libër në dorë, e pushtuar nga emocionet, duke lexuar poezi me zë të lartë dhe duke u ndalur, herë pas here, për të shqiptuar klithje gëzimi, siç mund të bëjë vetëm ai që e do gjuhën dhe që gëzohet kur e sheh atë të përdorur nga një mjeshtër i madh.
***
Iu afrohesha Borgesit ngadalë. Nuk ishte vetëm e vështirë të kapërcehej ndrojtja e tij, por edhe ajo barrierë e pakapërcyeshme letrare që i kundërvihej bashkëbiseduesit për të parandaluar çdo gjë që i ngjante një besimi. Shpesh më jepte libra, të cilët i lexoja me zjarr dhe shënoja faqen e parë me një B për të kujtuar origjinën e tyre: vepra nga Conradi, De Quincey, Stevensoni, Kiplingu, Wellsi, të preferuarat e tij. Për dy vjet, kur qe emëruar profesor i letërsisë angleze në Fakultetin e Filozofisë dhe Letërsisë, i ndoqa me interes leksionet e tij, sepse ishin leksione të një personi që dinte shumë për atë temë dhe tek ai vlerësoja origjinalitetin e një qasjeje dhe gjykimin e fuqishëm; ai krijonte një situatë që rrallëherë mund ta përjetonin studentët. Borgesi nuk ishte sistematik në mësimdhënien e lëndës, ishte arbitrar në preferencat e tij dhe shumë i aftë për t’u përcjellë Miltonin studentëve dhe letërsinë anglo-saksone, e cila e magjepste në atë kohë. Nga ana tjetër, ai ishte një kritik origjinal dhe, nëse një temë e emociononte, entuziazmi i tij mund t’i infektonte dëgjuesit. Pas mësimit, pinim kafe në rrugën Florida dhe e shoqëroja në këmbë deri te shtëpia e tij. Nëse dilnim natën, do të shkonim për të ngrënë në Pedemonten e vjetër, në El Tropezon, në La Emiliana, në restorantin Constitucion dhe ndonjëherë në restorantin Retiro, por gjithmonë kalonim orë të tëra duke ecur rreth sheshit San Martin dhe, herë pas here, duke u ulur në një stol për të folur, natyrisht, për letërsinë.
Fillimisht, ose, për të qenë të saktë, pas disa muajsh, Borgesi më shoqëroi pak, siç bënte me pothuajse të gjithë miqtë e tij. Unë, që në atë kohë kisha shqetësime të tjera sentimentale, isha në një gjendje ndaj tij që nuk mund ta përkufizoja veçse, ndoshta, me fjalën magji. Nuk e kuptoja pse po kapesha pas një burri që nuk më tërhiqte fizikisht, por, njësoj si në dashuri, mungesa e telefonatës së tij të përditshme, më shqetësonte. Francezët kanë pasur një shprehje: amitié amoureuse, e cila mund ta përcaktonte atë marrëdhënie platonike të krijuar, jo vetëm nga mirëkuptimi intelektual, nga shijet e përbashkëta, nga një lojë replikash dhe shakash, në të cilat mjaftonte aludimi më i vogël që ne ta kuptonim njëri tjetrin. Kishte gjithashtu rryma butësie të groposura thellë, që nuk shfaqeshin natyrshëm, ndërsa njëri citonte rreshtin e parë të një pasazhi të Shekspirit dhe tjetri vazhdonte me të dytin, ose ne i recitonim njëri-tjetrit kuartete të Rubairave nga Omar Khajami, të përkthyera në anglisht nga Fitzgeraldi, me gëzimin e të menduarit se ky duel i vogël letrar, në të cilin ne mburremi me kujtimet tona përkatëse nuk ishte rezultat i një improvizimi, por i entuziazmave të lashta, në kohët kur as nuk e njihnim njëri-tjetrin, secili prej nesh ndjente kënaqësinë e atyre vargjeve deri në atë pikë sa t’i merrte edhe pronësinë e tyre.
Borgesi shfaqi inteligjencën e tij të mrekullueshme dhe erudicionin e tij të jashtëzakonshëm pa asnjë theksim – askush nuk ishte më larg mburrjes – dhe unë ngushëllohesha sepse mund ta admiroja duke e kuptuar dhe ta ndiqja pa hezitim, pasi një balerinë e ndjek me përulësi partnerin e saj. Bashkëbisedues të errët të dialogëve sokratikë, të cilët, pa shkëlqimin e tyre, gjithsesi i lejojnë t’i paraqesin tezën e tyre mësuesit. Tridhjetë vjet më vonë, në një konferencë që mbajtëm së bashku për muzikën dhe letërsinë, Borgesi m’u lut ta filloja unë dialogun dhe unë u shpjegova të pranishmëve se, atë pasdite, violina e dytë, që isha unë, do të prezantonte temën, ndërsa violina e parë, Borgesi, do ta zhvillonte atë. Kjo metaforë muzikore do të shtrihet në dialogun shumë të gjatë që mbajtëm ndër vite; unë isha ajo violina e dytë që jep mbështetje dhe fut variacione dhe shpresoj të mos kem hyrë kurrë në kohën e gabuar dhe mbi të gjitha të mos kem qenë kurrë jashtë arsyes.