Skuadra e Shkupit në javën e fundit të kampionatit të Ligës së Parë të Maqedonisë ka përjetuar disfatë në terren të saj nga Sileksi me rezultat 0-2, njofton Telegrafi.
Pikërisht në këtë ndeshje tifozët e Shkupit “Shvecerat” kishin festuar përvjetorin e 35 të themelimit të tyre, ndërsa në tribuna ishte edhe pronari i ri i klubit, turko-gjermani Yasin Konyali.
Pak para se të largohet tani më ish-pronari Olgun Aydin, te Shkupi në pozitën e drejtorit sportiv erdhi një nga figurat më të mëdha të futbollit i të gjitha trojeve shqiptare, Nderim Nexhipi, i cili sot për faqen zyrtare të klubit ka dalë me një kumtesë, ku mes tjerash ka shruar se FC Shkupi do të rikthehet aty ku e ka vendin.
“Ekipi nuk është ekip i keq, ka një problem se është ndërtuar shumë vonë, në ditët e fundit të merkatos, dhe nuk kanë pasur as përgatitje të mira, janë afruar lojtarë që ne momentet e fundit kanë qenë pa ekipe. Klubi i ka marrë dhe nuk ka qenë asgjë e organizuar. Edhe para sezones ish-presidenti kishte vendosur që do të jetë fundi dhe në moment kyç tha se do të vazhdojmë edhe pak. Është nënshkruar një sponsorizim me një kompani turke. Dy javë para kampionatit është bërë një ekip, prandaj janë pasojat që i shohin tani. Tani që jemi rikthyer në klub, do të bëjmë më të mirën që ta rikthejmë klubin aty ku e ka vendin”, ka thënë Nexhipi.
Kujtojmë se në javën e 16-t, që luhet të nesër (e mërkurë), Shkupi udhëton drejt Tetovës në përballje me Shkëndijën, ndërsa kjo përveç rivalitet në fushë, do të jetë festë në tribuna që i paraprijnë festës së Nëntorit, ku përveç “Ballistëve” nikoqir, është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e tifo-grupit shkupjan, “Shvercerat”. /Telegrafi/