Policia e Shtetit ka publikuar pamjet ku dokumentohen kontrollet e kryera këtë të martë (20 qershor) në kampin e MEK. Në videon e publikuar shihen anëtarët e MEK të cilët rrethojnë automjetet e policisë, duke shtyrë efektivët, të cilët po zbatonin vendimin e Gjykatës për të ushtruar kontrolle në kamp.
Po ashtu, në pamjet e publikuar shihet edhe një anëtar i MEK i cili djeg disa dokumente. Në një moment, një pjesë prej tyre i dalin para edhe një makine të policisë, duke e penguar atë që të lëvizë.
Anëtarët e MEK kanë pretenduar për dhunë nga efektivët, ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi i hodhën poshtë në mënyrë kategorike këto pretendime.
Në një konferencë për shtyp, Çuçi tha se në fakt kanë qenë anëtarët e MEK ata që kanë dhunuar efektivët, veprime që ai i cilësoi si të papranueshme.
Po ashtu edhe Rrumbullaku theksoi se efektivët janë treguar të vetëpërmbajtur dhe se ata kanë përdorur vetëm spraj, pa shkaktuar lëndime, për të neutralizuar anëtarët e MEK, të cilët po kundërshtonin operacionin e policisë. Rrumbullaku tha po ashtu se ata kanë tentuar edhe të asgjësojnë provat duke i djegur.
Policia e Shtetit ushtroi kontrolle në ambientet në territorin e kampit MEK në Manzë të Durrësit, në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe parandalimit të sulmeve kibernetike.
Këto kontrolle u kundërshtuan nga banorët e Ashrafit të cilët u përshkallëzuan, duke sjellë përplasje fizike me efektivët e Policisë. Banorët e Ashrafit pretendojnë se policia është sjellë si diktatore në kontrollet e ushtruara brenda kampit, duke akuzuar efektivët për vdekjen e një prej banorëve./RTSH