Telegrafi

Deputeti i PD-së: Drejtuesja e SHISH të sqarojë përse është shkarkuar nga detyra në Kosovë dhe a ka pasur udhëtime në Serbi

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, foli për mediat pas debateve në Komisionin e Sigurisë që çuan në mbylljen e mbledhjes ku po raportonte drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni.

Salianji tha se tensionet lindën pas pyetjeve të bëra prej tij, në lidhje me akuzat për lidhjet me Serbinë që qarkullojnë në media mbi drejtuesen e SHISH.

Ai shtoi se nuk ka asnjë mundësi që maxhoranca t’u mbyllë gojën deputetëve të opozitës dhe drejtuesja e SHISH do të të duhet të vijë sërish në Komisionin e Sigurisë për të raportuar për situatën në Kosovë.

Lexo po ashtu Deputet në Komisionin e Sigurisë kërkojnë sqarime nga kreu i SHISH Vlora Hyseni për situatën në veri të Kosovës

“Nuk u respektua as procedura as ligji, për ta hedhur në votë mbylljen e komisionit. Shqetësimi jonë ishte për dy akuza të hedhura në publik ndaj drejtueses së SHISH. E para është nëse ka pasur shkarkim të zonjës Hyseni nga inteligjenca e Kosovës për shkak të lidhjeve me Serbinë. Dhe ishte kjo pyetje që shkaktoi tymnajë në radhët e deputetëve të maxhorancës. Pyetja e dytë që mendoj se duhet të kishte një përgjigje është që a ka patur para, gjatë apo në kohën që është në krye të SHISH, udhëtime në Beograd”, tha Ai.

“Shqetësimi i tretë ishte nëse e ka mbushur institucionin e SHISH me militantë partiak. Dhe gjithashtu po e pyesja nëse ka persona në radhët e punonjësve të SHISH, që bëjnë shantazh. Për këto nuk morën përgjigje dhe u mbyll mbledhja. Nuk ka burrë nënë që i mbyll gojën deputetëve të opozitës dhe do ta marrin përgjigjen ashtu siç e morën sot”, tha Salianji. /Telegrafi/