Telegrafi

Ndarja nga jeta e babait të Kadri Veselit, mesazhe ngushëllimi nga partitë në Shqipëri

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Fazli Veselit, babait të Kadri Veselit.

“Me hidhërim mora lajmin e ndarjes nga jeta të Fazli Veseli, babait të një prej themeluesve të UÇK-së, ish kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli. Jeta i rezervoi Fazliut momente të vështira gjatë përballjes me okupatorin serb, por dhe krenari për atë që familja e tij e veçanërisht djali i tij Kadri Veseli bëri për Kosovën edhe pse sot po përballet me padrejtësi që nuk kanë qenë të pakta gjatë historisë sonë. Me mendje dhe zemër jam sot pranë Kadri Veselit dhe familjes së tij, të cilëve ju shpreh ngushëllimet më të thella per humbjen e njeriut të tyre të dashur. U prehtë në paqe!”, shprehet Basha.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Taulant Balla, i ka shprehur ngushëllimet familjes së ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli për ndarjen nga jeta të babait të tij.

“Ngushëllime familjes së ish-Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, mikut tim Kadri Veseli, për ndarjen nga jeta të babait të tij, bacës Fazli! U prehtë në paqe!”, shprehet Balla./ATSH