Telegrafi

Ndarja e madhe po vjen – Simeone nuk i beson më Felixit që për të paguan 127 milionë euro, portugezi sulmuesi i pestë në hierarki

Atletico Madrid po humbet shanset për të kaluar në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve pas barazimit 0-0 ndaj Club Brugge.

Skuadra e Diego Simeones është në vendin e tretë në grup me katër pikë, dy më pak se Porto që është e dyta.

Në ndeshjen e mbrëmshme, Atletico Madridit i munguan idetë në sulm, ndërsa nga minuta e 82-të, skuadra mysafire kishte më pak lojtarë.

As atëherë Diego Simeone nuk e futi në lojë sulmuesin portugez Joao Felix.

Felix është lojtari më i shtrenjtë i Atletico Madridit i të gjitha kohërave, pasi tre vjet më parë, ai erdhi nga Benfica për 127 milionë euro.

Edhe pse u paguan këto para, Felix është kryesisht i ulur në stol. Ai ka grumbulluar 29 minuta në katër ndeshjet e fundit.

Në rotacion, ai është në vendin e fundit mes sulmuesve: Alvaro Morata, Antoine Griezmann, Mathues Cunha dhe Angel Correa, lojtarë të cilëve Simeone u beson shumë më tepër, shkruan Marca.

Marrëdhënia mes Simeones dhe Felixit është “më se e komplikuar” aktualisht.

Sulmuesi portugez, në moshën 22-vjeçare, duhet të bëjë një hap të rëndësishëm përpara, por ai ende nuk po luan për shumën që Atletico ka paguar për të.

Ai nuk ka shënuar asnjë gol në 11 ndeshje këtë sezon. Simeone nuk e tregoi publikisht pse Felix nuk luan, por supozohet se trajneri i Atléticos e sheh portugezin si fajtorin për paraqitjet e dobëta të skuadrës në Ligën e Kampionëve.

Gjithashtu, Atletico Madridi po humb ngadalë ritmin edhe në La Liga, dhe është gjashtë pikë prapa Real Madridit të vendit të parë.

Marca thekson se nuk do të ishte e çuditshme nëse Felix dhe Simeone kuptojnë se nuk mund të funksionojnë së bashku dhe portugezi do të duhet të largohet nga klubi sepse Simeone ka shumë mbështetje e tifozëve dhe drejtuesve të klubit. /Telegrafi/