Telegrafi

Hoxhaj: Serbia po bën propagandë kundër Kosovës me lajme të rrejshme për ndryshim të kufijve

Edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, ka reaguar lidhur me deklaratën e zëvendës-kancelarit austriak, Heinz-Christian Strache, i cili përmendi veriun e Kosovës, duke thënë se serbët kanë të drejtë të vendosin për atë pjesë.

“Kosova padyshim që është pjesë e Serbisë”, ka thënë zëvendës-kancelari i Austrisë, njëherësh kryetar i FPO, Heinz-Christian Strache, në një intervistë dhënë për mediumin serb.

Ai ka theksuar se serbët që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës kanë të drejtë për vetëvendosje ose autonomi, por që kjo do të kërkonte negociata të gjata, dhe se Kosova sipas tij në këtë çështje është e pamëshirshme.

Hoxhaj, përmes një postimi në Twitter,  i ka quajtur të rrejshme lajmet për ndarje të territorit apo ndryshim të kufijve.

“Serbia po intensifikon agjendën me propaganda dhe sulme kundër Kosovës në cep të dhjetë vjetorit të pavarësisë”.

“Lajmet e rrejshme dhe kërcënimet e vazhdueshme në ndarje të territorit e ndryshim të kufijve janë pjesë e kampanjës sistematike kundër Kosovës dhe të ardhmes euro-atlantike të rajonit”, ka thënë ai në Twitter. /Telegrafi/