Site icon Telegrafi

Ndarja e Google-it mund t’i kthejë gjigantët në mesatarë

Ilustrim (foto: Tayfun Coskun/Anadolu/Getty Images)

Nga: Elaine Moore / The Financial Times (titulli origjinal: Google break-up could turn Big Tech into Medium Tech)
Përkthimi: Telegrafi.com

Aktivistët kundër monopoleve janë të vendosur të dëshmojnë se nuk ekziston diçka e tillë që është tepër e madhe dhe që nuk mund të shpërbëhet. Të martën, qeveria amerikane sugjeroi që Google – një kompani me vlerë dy trilionë dollarë – mund të ndahet. Sipas Departamentit të Drejtësisë, kjo është njëra nga mënyrat për t’i dhënë fund monopolit të saj në kërkimet në internet.

Nëse rekomandimi zbatohet, ai do të ndryshojë mënyrën se si shteti mendon për suksesin e industrisë së tij më të madhe. Ndëshkimi është drastik. Kompania mëmë e Google-it, Alphabet, përbën më shumë se katër për qind të indeksit kryesor të tregut të aksioneve S&P 500. Kompania e fundit e madhe amerikane që u urdhërua të shpërbëhej ishte Microsoft-i, në vitin 2000 – dhe përpjekja dështoi. Në atë kohë, Microsoft-i përbënte më pak se tre për qind të indeksit.

Propozimi i Departamentit të Drejtësisë tregon se sa larg mund shkojë qeveria amerikane për të ndryshuar ekuilibrin e fuqisë në teknologji. Google është humbësi i parë i madh në një luftë antitrust që ka vazhduar në të gjithë industrinë prej vitesh. Nëse këto lloj ndëshkimesh zbatohen, industria e teknologjisë në ShBA do të fillojë të duket shumë më ndryshe. Kompanitë e mëdha të teknologjisë [Big Tech] mund të shndërrohen në kompani të mesme të teknologjisë [Medium Tech].

Një paralajmërim: veprimi ligjor rregullator është jashtëzakonisht i ngadaltë. Departamenti i Drejtësisë publikoi ankesën e tij në vitin 2020 dhe gjyqtari Amit Mehta në këtë gusht e shpalli kompaninë fajtore. Ai i ka dhënë vetes kohë deri në verën e vitit 2025 për të marrë një vendim. Më pas, Google mund të ankohet në Apel. Departamenti po shqyrton më shumë opsione sesa të detyrojë shitjen e disa pjesëve të biznesit. Kjo është arsyeja pse çmimi i aksioneve të kompanisë nuk ka rënë ndjeshëm. Mbetet vetëm 14 për qind larg nivelit më të lartë të të gjitha kohërave. Investitorët e kanë të vështirë të vlerësojnë rrezikun e ndryshimeve të mundshme, të cilat edhe mund të mos ndodhin kurrë.

Gjithsesi, Google po përballet me beteja ligjore në një kohë kur rivalët e saj po mbledhin shuma rekorde për të zhvilluar inteligjencën artificiale. Planet e Google-it për IA (Inteligjencën Artificiale) mund të mos jenë në kryqëzimet e kësaj beteje të veçantë, por mund të jenë një nga viktimat e saj. Ndikimi i ndërhyrjes së qeverisë mund të jetë afatgjatë. Goditja e ashpër e Kinës ndaj sektorit të saj teknologjik në vitin 2020 frenoi rritjen e këtij sektori.

Çdo kufizim në Google Search rrezikon të dëmtojë biznesin fitimprurës të reklamave digjitale, i cili financon kërkimet për gjithçka, nga makinat pa shofer deri te pajisjet teknologjike shtëpiake dhe IA-ja. Ky është shkaku pse Google ofron disa shërbime falas për konsumatorët, përfshirë një veçori të re të njohur si NotebookLM, që u lejon përdoruesve të ngarkojnë të dhënat e tyre dhe të dëgjojnë podkastet e krijuara nga IA-ja, bazuar në përmbajtjen e tyre.

Për më tepër, ky nuk është kufizimi i vetëm që shqetëson kompaninë. Epic Games, krijuesi i lojës popullore Fortnite, prej kohësh ka kundërshtuar praktikën e Google-it për të marrë një përqindje të lartë nga pagesat e bëra në aplikacionet e shkarkuara prej dyqanit të saj. Këtë javë, një gjykatës urdhëroi Google-in të ndalojë detyrimin e zhvilluesve të aplikacioneve që të përdorin shërbimin e saj të faturimit brenda aplikacionit dhe që gjiganti i kërkimit të ndalojë pagesat e prodhuesve për të instaluar paraprakisht dyqanin e tij të aplikacioneve për tri vjet. Qeveria amerikane ka gjithashtu një çështje të dytë antitrust kundër Google-it, këtë herë duke u fokusuar në ankandet e saj të reklamave digjitale.

Këto beteja ndodhin pikërisht kur kanë filluar të shfaqen kërcënimet e besueshme për dominimin e Google-it në kërkimin online. Shikoni çetbotin ChatGPTOpenAI-së, i cili ofron përgjigje të përmbledhura për pyetjet e shkruara nga përdoruesit, ose TikTok-un, ku kërkimet e ndërlidhura shfaqen automatikisht nën videot e hipopotamëve të vegjël dhe memeve të kërcimit.

Humbja në tregun e aksioneve të biznesit të saj kryesor dhe përballja me disa çështje ligjore paraqesin probleme të veçanta për Google-in, veçanërisht kur është e angazhuar në një luftë të kushtueshme për të qëndruar përpara në fushën e inteligjencës artificiale (IA), një fushë që ende nuk është fitimprurëse. Shpenzimet kapitale të kompanisë, vitin e kaluar, ishin pothuajse 50 për qind më të larta se tri vjet më parë. Ndërkohë, rivalët në sektorin privat po marrin miliarda nga investitorët, me një qasje të guximshme ndaj riskut. OpenAI sapo ka mbledhur 6.6 miliardë dollarë dhe ka siguruar një linjë kredie prej katër miliardë dollarësh. Elon Musk ka mbledhur gjashtë miliardë dollarë për startapin e tij të IA-së, xAI, ndërsa Anthropic ka mbledhur më shumë se shtatë miliardë që nga viti 2023.

Megjithatë, e ardhmja nuk është krejtësisht e zymtë. Shpërbërja e Google-it nuk është e pashmangshme. Nëse ndodh, mund të krijojë biznese më të vogla dhe më fleksibile, të afta për të nxjerrë produkte të reja më shpejt.

Por, Microsoft-i ofron një paralajmërim për atë që mund të ndodhë, edhe nëse dënimi më i rëndë nuk zbatohet. Pasi u shpall fajtor për abuzim me fuqinë monopoliste të sistemit operativ Windows dhe pasi u urdhërua të shpërbëhej, kompania apeloi me sukses vendimin. Megjithatë, beteja harxhoi burime që mund të ishin përdorur për qëllime të tjera. Ndoshta, pa shpërqendrimin në çështjen antitrust, Microsoft-i nuk do të kishte mbetur kaq prapa në sistemet operative për telefoninë mobile, diçka që i dha mundësi Google-it të dilte përpara. Rivalët e Google-it në IA shpresojnë që historia të përsëritet. /Telegrafi/

Exit mobile version