Site icon Telegrafi

Ndalohet publikimi i deklaratave në gjykimin ndaj të akuzuarit që vrau bashkëshorten për motive xhelozie

Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Ragip Gashit, i cili po akuzohet se kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij M.G. i nxitur nga motivet e ulëta të xhelozisë, në mënyrë dinake, gjykata ka ndaluar publikimin e të gjitha deklarimeve të dhëna gjatë kësaj seance.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Fatime Dermaku, mori këtë vendim, pas kërkesës së palës së dëmtuar për mos publikimin e të gjitha deklaratave dhe dëshmive të dhëna gjatë kësaj seance.

Paraprakisht, në këtë seancë është bërë shikimi i një video-incizimi që të dëmtuarit kishin paraqitur si provë si dhe është dhënë fjala përfundimtare nga të gjitha palët lidhur me rastin.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i akuzuari Ragip Gashi më 21 dhjetor 2016 në Prishtinë, në lagjen “Mati 1”, i nxitur nga motivet e ulëta të xhelozisë, në mënyrë dinake e privon nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën M.G.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Gashi në atë mënyrë që derisa e ndjera M.G kishte shkuar myyafir te familjarët e saj dhe ishin duke ndenjur, me ç’rast i pandehuri Gashi e ka thirrur në telefon duke i thënë që ka shkuar për ta marrë në shtëpi, dhe tani e ndjera duke mos dyshuar asgjë është nisur për të shkuar te i pandehuri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, sipas aktit akuzues, i pandehuri Gashi i kishte thënë paraprakisht se e priste në rrugë, ndërsa vëllai i saj i dëmtuari-dëshmitari Xh.H e kishte përcjellur, papritmas atyre iu ka dal në pritë i pandehuri Gashi me revole në dorë i cili me dashje që ta privojë nga jeta, ka shtënë në drejtim të tani të ndjerës M.G.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti ka qëlluar të ndjerën me dy plumba në pjesën e përparme të gjoksit ku njëri plumb e ka goditur në zemër me ç’rast e ndjera ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Me këtë, i akuzuari Ragip Gashi, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Kurse, në dispozitivin e II të aktakuzës thuhet se me datën, kohën dhe vendin e njëjtë si në dispozitivin I të akuzës, i pandehuri Gashi në mënyrë dinake i afrohet mikut të tij, të dëmtuarit Xh.G dhe me dashje që ta privojë nga jeta, ka shtënë me armën e njëjtë dy here në drejtim të dëmtuarit – dëshmitarit Xh.H me ç’rast e qëllon dy herë me plumba në trup.

Me këtë, të njëjtit i kishte shkaktuar plagë të rënda trupore, të rrezikshme për jetën me ç’rast akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”.

Po ashtu, i akuzuari sipas dispozitivit të III, prej datës së pavërtetuar e deri më 21 dhjetor 2016, në shtëpinë e tij në Prishtinë ka mbajtur në pronësi dhe kontroll armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm.

Me këtë, i pandehuri Gashi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Exit mobile version