Sekretari amerikan për Pasuritë Natyrore, Ryan Zinke i vendosur nën presionin e guvernatorit të Floridës, ka ndaluar nxjerrjen e naftës dhe gazit në brigjet e këtij shteti.
Zinke tha dje se ai e mbështet qëndrimin e guvernatorit se Florida është unike dhe se brigjet e saj varen shumë prej turizmit që udhëheq ekonominë e kësaj zone.
Në Florida ndodhet gjithashtu dhe vendpushimi i Presidentit Trump, Mar-a-Lago.
Javën e kaluar administrata Trump propozoi nxjerrjen e lejeve për nxjerrje nafte dhe gazi në det të hapur, duke ndryshuar politikat e administratës Obama.
Një nga anëtarët e stafit të qendrës për diversitet biologjik John Fleming tha se në Kaliforni po bëhen përpjekje në nivel lokal për ta kundërshtuar këtë vendim.
Kjo pritet të jetë një sipërmarrje e vështirë për administratën Trump duke patur parasysh dy rastet që tërhoqën një vemëndje të madhe publike në vitet e fundit kur si pasojë e derdhjet së naftës në Kaliforni dhe Gjirin e Meksikës u shkaktuan dëme të ndjeshme në faunën detare si dhe u trondit ekonomia lokale.
Pentagoni gjithashtu ka shprehur dyshime rreth shpimeve në Gjirin e Meksikës, ku zhvillohen stërvitje detare. /Telegrafi/