Telegrafi

Ndalohet një person lidhur me vrasjen në “Bon Vivant”

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar të enjten se ka ndaluar një person me inicialet N.Ll, si i dyshuar për vrasjen e ndodhur më 4 gusht në lokalin “Bon Vivant”.

Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj, ka thënë për Telegrafin se personi i ndaluar dyshohet për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.

“Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e presonit me inicialet N.Ll., për shkak te dyshimit të kryerjes se veprës penale ‘Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale’, sipas KPRK-së, lidhur me rastin e ndodhur në ‘Bon Vivant’”, ka deklaruar Ulaj.

Lexo po ashtu Vrasja në "Bon Vivant", lirohen nga paraburgimi dy nga të dyshuarit

Para se të viheshin në përdorim armët e zjarrit, me 4 gusht në kafiterinë “Bon Vivant” në Prishtinë kishte pasur përleshje mes dy grupeve që rezultoi me vrasjen e 39-vjeçarit me inicialet K.R, ndërsa të plagosur mbetën gjashtë të tjerë. Po ashtu, 13 persona, përfshirë klientë të lokalit, pësuan lëndime trupore nga gërvishtjet e xhamave apo gjësendet tjera.

I dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati. I njëjti kërkohet edhe nga FBI-ja për trafikim narkotikësh.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të gjithë personat e përfshirë në këtë vrasje kanë të kaluar kriminale.

Rasti në “Bon Vivant” është cilësuar nga autoritetet si ‘Vrasje të rëndë’, ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Pjesëmarrje në rrahje’./Telegrafi/