Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton se ka ndaluar të dyshuarin R.M., pasi dyshohet se ka kryer veprat penale në bashkëkryerje “Marrja e ryshfetit” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.
Sipas njoftimit, i dyshuari me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.
I njëjti dyshohet se ka ndërmjetësuar në marrjen e ryshfetit për zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH-së), së bashku me Z.G., dhe A.X., për lëshimin e pëlqimeve mjedisore dhe ujore, duke marrë rreth 700 mijë euro nga investitorët në vikend zonën e Brezovicës.
“Po ashtu, vlen të theksohet se i njëjti R.M., gjatë zbatimit të urdhër kontrollit për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellëse, në aksionin “Brezovica” të datës 26 Maj 2022. ku, me ç’rast janë kontrolluar dhe bastisur gjashtë (6) lokacione të ndryshme, i njëjti nuk është gjetur në shtëpinë e tij, ndërsa, sot, është arrestuar në vendkalimin kufitar në Vërmicë”, thuhet në njoftimin për media.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të njëjtit do të paraqesë edhe kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj.
Saktësisht, aksioni “Brezovica” kishte filluar më 21 dhjetor të vitit 2021, ku nga aksioni i parë u arrestuan 10 persona, në mesin e tyre ishte edhe ish kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq dhe nëntë zyrtarë tjerë të kësaj komune.
Pas aksionit të 21 dhjetorit, Policia vazhdoi aksionin e “Brezovicës” më datën 6 janar 2022. Gjatë këtij operacioni u arrestuan edhe 10 persona.
Policia e Kosovës aksionin “Brezovica” e vazhdoi më 3 mars.
Siç njoftoi Prokuroria e Ferizaj, deri tani janë arrestuar shtatë persona, dhe janë bastisur 12 lokacione.
Bastisjet ishin bërë në 12 lokacione të ndryshme në katër qytete të ndryshme, përkatësisht: Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan. /Telegrafi/