Telegrafi

Ndalohet aktiviteti kriminal i dy shqiptarëve në Angli, kultivonin kanabis shumë afër një stacioni policor

Ushtrimi i një veprimi kriminal, shumë afër një stacioni policor, nuk do ishte veprim që do e bënin shumica e grupeve kriminale.

Por, një grup kriminal që kishte në krye dy shqiptarë, e ka bërë pikërisht këtë, vetëm 24 metra larg një stacioni policor në Essex të Anglisë, transmeton Telegrafi.

Në pesë ndërtesat e një njësie industriale, ata kishin kultivuar kanabis, nën dritat speciale që përdoren për rritjen e tyre në hapësira ku nuk ka dritë natyrale.

Gjatë intervenimit policore, janë konfiskuar mbi 3,000 bimë të rritura kanabisi, që në treg do të kapnin vlerën e rreth dy milionë eurove.

“Ky konfiskim, do të ketë ndikim të madh në tregun e kanabisit, pasi është një sasi shumë e madhe, e ndaluar brenda një kohe”, thuhet në raportin policor.

Të arrestuar janë Emiljan Gjura dhe Ermir Reshiti, të cilët janë dërguar në mbajtje, derisa po bëhen hetime edhe për të përfshirë të tjerë.

Autoritetet policore, e kanë bërë një intervenim të ngjashëm dhe gjatë të njëjtës kohë në vitin e kaluar, duke arritur të ndalojnë zhvillimin e një veprimtarie të njëjtë kriminale. /Telegrafi/