Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas ndalimit të disa pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga Serbia.
Haradinaj në një postim në Facebook e ka quajtur reagim inert dhe vetëm deklarativ shtetëror të Kosovës deklaratat për arrestimin e zv/drejtorit të Policisë, Dejan Jankoviq dhe policëve të Kosovës në Serbi.
Ai thotë se kjo shpërfaq mungesën e mbështetjes serioze dhe pasigurinë për pjesëtarët e komunitetit serb në institucionet e sigurisë së Kosovës.
“Qeveria, Presidenca, MPB dhe MPJ do duhej të japin ultimatum të prerë për lirimin e menjëhershëm të tyre, në të kundërtën edhe Kosova do të veprojë me reciprocitet ndaj pjesëtarëve të institucioneve të sigurisë të Serbisë, kurdo që hyjnë në territorin e Kosovës”, shkruan Haradinaj.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot paradite tha se sipas informacioneve të fundit, katër zyrtarë policorë të Kosovës, që po mbaheshin Serbisë, janë liruar.
Kurti ka thënë se i ndaluar vazhdon të mbetet vetëm zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq. /Telegrafi/