Prej tre muajsh restorantet e dasmave janë mbyllur kurse ahengjet janë anuluar. Nga kjo situatë është prekur edhe Administrata Tatimore e Kosovës.
Velentina Bytyçi-Sefa zëdhënëse për media në ATK tha se për shkak të situatës me pandeminë janë shtyrë të gjitha afatet për deklarim dhe pagesë të tatimeve.
“Kur kemi një situatë që nuk prodhohen të ardhura është e arsyeshme edhe në projeksionet tona. Mirëpo po shpresojmë që situata të normalizohet dhe do të ketë zbutje të masave edhe për këto kategori të tatimpaguesve në mënyrë që të zhvillojnë aktivitetet e tyre dhe ne t’i kthehemi normalitetit sa i përket tatimeve”, tha Velentina Bytyçi-Sefa për RTV Dukagjinin.
Megjithatë Bytyçi-Sefa thotë se askush nuk do të mund të shmanget nga pagesa e tatimeve.
“Asnjë tatimpagues përfshirë edhe këngëtarët nuk do t’i mbesin borxh ATK-së. E them ketë pasi ne si ATK me ligj e kemi të lejuar që edhe në mënyrë indirekte të bëjmë matjen e standardit jetësorë të çdo këngëtari për të parë nëse është në përputhje me deklarimet që i kanë bërë në ATK nisur nga mënyra se si ata jetojnë, shtëpitë, veturat”.
Bytyçi-Sefa në fund ka një porosi edhe për tatimpaguesit që të bëjnë deklarimet tatimore deri në 30 qershor pasi ky është afati i fundit./RTV Dukagjini/Telegrafi/