Telegrafi

Ndalet importi, rikthehen reduktimet

“Kontrata me kompanitë EGL, EFC dhe DEN për import të energjisë elektrike ka qenë e kontraktuar deri me datën 28 të këtij muaji andaj edhe janë rikthyer reduktimet”, tha për “Telegraf”, Nezir Sinani ushtrues detyre i menaxherit për komunikim në korporatë.

Sipas tij ofertat e reja për import të energjisë do të hapen me datën 30 të këtij muaji.

“Pas hapjes së ofertave do të shohim se si do të jetë gjendja”.

Bazuar në raportin energjetik ditor të KEK-ut, për ditën e sotme (e enjte), kompania ka në dispozicion vetëm 500 megavat orë energji elektrike, kapacitet ky i cili nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar nevojat në vend. Në prodhim janë vetëm dy njësitë e Termocentralit “Kosova B”, njësia B1 dhe ajo B2 si dhe Hidrocentrali “Ujmani”.

Ndërkohë dy njësitë e Termocentralit “Kosova A”, ajo A3 dhe A4 deri në fund të muajit të ardhshëm do të jenë në remont vjetor.
Në të njejtin raport KEK-u njofton se reduktimet do të vazhdojnë për të gjitha kategoritë. Kategoria A do të furnizohet 24 me zero ose 5 me 1, ajo B, 4 me 2 ndërsa kategoria C, 3 me 3. /Telegrafi/