Rritja e biznesit në Eurozonë ngadalësoi vrullin gjatë muajit të kaluar, pavarësisht uljes së çmimeve nga kompanitë. Sipas një studimi, këto të fundit kanë rritur volumin e fuqisë punëtore. Ngadalësimi i rritjes do të ishte zhgënjyes për Bankën Qendrore Europiane (BQE), ndërsa vjen vetëm pak muaj pas nisjes së një programi lehtësimi sasior me një vlerë prej rreth 1 trilion euro, për të stimuluar rritjen dhe nxitur inflacionin.
Indeksi përfundimtar i Markit, që shërben si udhërrëfyes për rritjen, qëndroi në 53.6 pikë gjatë muajit maj, krahasuar me 53.9 që ishte gjatë muajit prill.
Kjo nënkupton rritje pasi kalon vlerën diferencuese prej 50 pikësh. Sipas analistëve, rimëkëmbja e Eurozonës ka humbur pak vrull gjatë muajit maj, pasi rritja e prodhimit dhe porositë e reja u ngadalësuan.
Firmat kanë ulur çmimet që në prill të 2012-ës dhe bënë të njëjtën gjë muajin e kaluar ndërsa u përjetua edhe rritja më e dobët në gati një vit. Indeksi i çmimeve të prodhimit u rrit në 49.5 pikë krahasuar me muajin prill që ishte 49.2.
Me çmime ende në rënie, indeksi përfundimtar që mbulon sektorin industrial të bllokut të monedhës së përbashkët, arriti në 53.8 pikë, duke thyer parashikimet prej 53.3, por në rënie krahasuar me muajin paraardhës. Për t’ju përmbajtur kërkesës, firmat rritën numrin e punonjësve më normën më të shpejtë që prej Nëntorit të 2010-ës. Indeksi i punësimit arriti në 52.5 pikë, nga 51.8 i muajit të mëparshëm. /Telegrafi/