Site icon Telegrafi

Ndahet nga jeta shkrimtari Agim Deva

I ndjeri Deva njihet si njëri ndër krijuesit më të njohur të letërsisë për fëmijë. Ai ka botuar shumë vepra në prozë e poezi kushtuar fëmijëve.

Agim Deva ka qenë edhe profesor i rregullt i letërsisë për fëmijë në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë.

Disa nga veprat e tij më të njohura janë: "Panushi", "Zonja e livadheve", "Dreri në mal", "Plisi i zogut", "Duart", etj.

Varrimi i Agim Devës do të bëhet sot në orën 15:00 në varrezat e qytetit të Gjakovës.

Telegrame ngushëllimi familjes Deva i kanë dërguar presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe ministri i Kulturës, Valton Beqiri.

Në telegramin e presidentit Sejdiu theksohet se, “krijuesi e pedagogu Agim Deva, edhe në kohët më të rënda për vendin tonë, diti që me fjalën e matur dhe të peshuar t’ua transmetojë gjeneratave të reja mesazhet e urtësisë, të dashurisë dhe të humanizmit”.

“Prandaj, jemi të bindur se virtytet e Profesor Agim Devës do të kujtohen dhe do të nderohen gjithmonë nga qytetarët e Republikës së Kosovës, ndërsa vepra e tij do të jetë udhërrëfyes për gjeneratat e ardhshme të vendit”.

Ndërkaq në telegramin e ngushëllimit të ministrit Beqiri theksohet se, “me humbjen e Agim Devës, letrat shqipe kanë mbetur pa njërën nga pendët e saj më të shquara të letërsisë për fëmijë, e cila botës shqiptare i dha vepra të çmuara poetike dhe studimore. Me humbjen e tij, arsimi ynë universitar ka mbetur pa profesorin dhe pa pedagogun e urtë, i cili, me vlerësimet dhe gjykimet e tij të mprehta shkencore, i edukoi brezat e letrarëve të rinj në vendit tonë”. /Telegrafi/

Exit mobile version